E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Treshja që drejton Ministrinë e Integrimit nuk ka eksperiencë”

Flet dr. Mirela Bogdani, eksperte për çështjet e integrimit dhe autore artikujsh dhe botimesh në lidhje me këtë proces

“Shqipëria nuk përmbush kushtet për të aplikuar për kërkesën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, – kështu shprehet dr. Mirela Bogdani në forumin e organizuar nga gazeta. Sipas saj, kushtet në të cilat ndodhet Bashkimi Europian, por edhe mënyra e realizimit të reformave nga qeveria e Tiranës, e bëjnë të pamundur marrjen e një aprovimi pozitiv nga Brukseli. “Treshja që drejton Ministrinë e Integrimit, pra ministrja dhe dy zëvendësministrat, nuk kanë as më të voglin formim teorik dhe eksperiencë apo ekspertizë praktike në fushën e politikave të Bashkimit Europian dhe procesit të integrimit”, - thotë Bogdani, autorja e librit “Shqipëria dhe Bashkimi Europian: Integrimi Europian dhe perspektiva e Anëtarësimit”. Sipas pedagoges shqiptare që jeton në Britaninë e Madhe, ndryshimet politike kanë sjellë pasoja në administratën publike dhe konkretisht në Ministrinë e Integrimit.

A është momenti i duhur dhe a i plotëson standardet Shqipëria që të paraqesë kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian gjatë presidencës çeke të BE-së?

Pranimi i një vendi në Bashkimin Europian ndjek një rrugë e procedurë të caktuar. Shqipëria e ka filluar këtë rrugëtim së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në 1999-n dhe ka arritur te ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga të gjitha vendet anëtare. Pas kësaj, duhet që Marrëveshja të hyjë në fuqi. Më pas, vendi fillon periudhën e gjatë të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila mund të shkojë deri në 10 vjet e që përfundon me nënshkrimin e Marrëveshjes së Pranimit (Acession Agreement). Çdo vend është i interesuar të bëjë aplikimin për statusin e kandidatit sa më shpejt të jetë e mundur; problemi është nëse kjo kërkesë pranohet nga Bashkimi Europian. Shumë nga kushtet e brendshme nuk janë përmbushur. Mjafton të shikosh raportin e fundit, të nëntorit të vitit 2008, të Komisionit Europian apo raportet nga organizma të tjerë ndërkombëtarë. Por, edhe kushtet e jashtme, pra nga ana e Bashkimit Europian, nuk janë aq favorizuese. Konkretisht, mbështetja e europianëve përkundrejt zgjerimeve të mëtejshme, apo zhgënjimet me dy vendet e fundit që hynë në BE, si Rumania dhe Bullgaria, të cilat vazhdojnë të kritikohen për problemet që kanë, sidomos në lidhje me korrupsionin dhe shtetin ligjor. Gjithsesi, Shqipëria është prapa në këtë proces krahasuar me dy vendet e tjera të rajonit: Kroacinë, e cila ka marrë statusin e kandidatit që në vitin 2004, si dhe Maqedoninë që e ka marrë statusin që në dhjetorin e vitit 2005.

A ka kapacitete teknike Ministria e Integrimit për të udhëhequr procesin në fazën tjetër të marrëdhënieve të Shqipërisë me Komisionin Europian?

Për të analizuar rolin dhe ndikimin e një institucioni, duhet parë se kush e drejton dhe çfarë përbërje ka ai institucion; sepse janë ata që hartojnë, drejtojnë dhe koordinojnë politikat në fushën përkatëse. Treshja që drejton Ministrinë e Integrimit, pra ministrja dhe dy zëvendësministrat, nuk kanë as më të voglin formim teorik dhe eksperiencë, apo ekspertizë praktike në fushën e politikave të Bashkimit Europian dhe procesit të integrimit. Madje, njëri prej tyre vjen nga dramaturgjia. Po ashtu, stafi në nivelet më të ulëta është i pakualifikuar në fushat përkatëse (me ndonjë përjashtim të rrallë). Bile, kam dëgjuar se që në vitin 2005, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, u hoqën nga strukturat e Ministrisë së Integrimit shumë nga ata që kishin formuar një farë ekspertize në këtë fushë. Për ta mbyllur, puna e Ministrisë së Integrimit dhe drejtuesve të saj më duket joprofesionale (jokompetente e diletante) për këtë peshë e objektiv të rëndësishëm tek i cili rrotullohet si politika e brendshme, edhe politika e jashtme e Shqipërisë.

Box 1
Forumi: A jemi gati për të aplikuar?

“A i përmbush Shqipëria standardet për të bërë kërkesën e anëtarësimit në BE?”

Prej dy ditësh, gazeta “Albania” ka hapur debatin rreth paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Europian nga Tirana zyrtare. Dy ditë më parë, komentoi zhvillimet më të fundit dhe deklaratat e kryeministrit Berisha, drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Ditmir Bushati. Gazeta është e hapur për të gjitha idetë apo opinionet që vijnë në mënyrë profesionale rreth procesit të ri integrues ku tenton të hyjë vendi ynë.
Për çdo informacion apo për dërgimin e materialeve, ju mund të na shkruani në adresën: kryeredaktoralbania@yahoo.com
Ose mund të kontaktoni në numrin e telefonit: +355 42229243

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›