Vendimi i qeverisë, shkarkohet nga detyra kreu i Tatimeve, Arben Sefgjini
Kryeministri Sali Berisha ka shkarkuar dje nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Vendimi është marrë dje gjatë mbledhjes së qeverisë nga vetë kryeministri Berisha dhe motivacioni zyrtar i këtij vendimi është “kalimi në një detyrë tjetër”. Arben Sefgjini e ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve që nga 20 janari i vitit të kaluar dhe është kryetatimori i tretë që shkarkohet brenda mandatit të qeverisë demokratike. Postin e Sefgjinit që nga dita e djeshme e ka marrë Artur Papajani, që më parë ka punuar në sektorin TVSH-së në administratën tatimore. Për fatin e keq të Sefgjinit, kjo përkoi edhe me një periudhë jo të mirë në tatime, ku muajt e fundit është reflektuar një tendencë e qartë rënieje e të ardhurave. Gjatë analizës vjetore të punës së DPT-së janë bërë kritika të ashpra nga zëvendësministri i Financave, Florjan Mima, i cili kritikoi për arbitraritet administratën tatimore, të drejtuar nga Arben Sefgjini. Ish-kreu i Tatimeve, Sefgjini, u emërua në këtë detyrë rreth një vit e gjysmë më parë. Aktualisht Sefgjini gjykohet në liri, pasi dyshohet se është i përfshirë në zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Sefgjini e mbajti këtë detyrë edhe kur gjykata vendosi për të masën e arrestit të shtëpisë. Ai vazhdon të jetë ende i pandehur në procesin gjyqësor të bujshëm nisur prej mëse një viti në Gjykatën e Krimeve të Rënda për akuzën e rrëmbimit të trefishtë, torturimit me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 1996. Ai akuzohet edhe për rrëmbimin dhe torturimin e dy shtetasve të tjerë, Ziso Kristopuli dhe Avdyl Loshaj. Sefgjini akuzohet për kohën kur ai ka qenë drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror për Tiranën së bashku me zyrtarë të tjerë të SHIK-ut. Në atë periudhë zërat që kërkonin lirimin e Sefgjinit nga detyra ishin të shumtë dhe jo vetëm nga opozita. Kjo iu kërkua kryeministrit Berisha, por kërkesa u hodh poshtë nga ky i fundit. Shkarkimi vjen edhe në një kohë kur procesi hetimor ndaj Remzi Hoxhës pritet të marrë një tjetër kthesë, pas ekstradimit të pritshëm të një tjetër personazhi të kësaj ngjarjeje, Ilir Kumbaros.
28 Janar 2009