Ruajuni të pabesëve që të vrasin natën dhe të qajnë ditën!...
Ngjarjet simotra të 24 gushtit 1572 në Paris dhe ato të 21 janarit 2011 në Tiranë, janë pjella të së njëjtës nënë: të gjakderdhjes. Të parat kanë hyrë në histori me emrin Nata e Shën Bartolomeut. Historianët e kanë pranuar njëzëri emrin, sado që ende, pas më se pesëqind vjetësh, u rikthehen ngjarjeve me analiza që bien ndesh me njëra-tjetrën. Të dytat ende nuk kanë një emër të përveçëm, edhe se Presidenti ynë, jo historian, por politikan, u ngut t’i pagëzonte Ngjarje në Bulevard. Falë paanësisë së kohës, të parat gjithnjë e më shumë po i zbulojnë të fshehtat e veta, duke iu qasur së vërtetës. Falë paaftësisë (që të mos them njëanësisë) së institucioneve tona të drejtësisë, të dytave, dikush përpiqet t’ua mbulojë lakuriqësinë me gjethe fiku, nga pamundësia që t’i flakë rrokullimave enigmatike të kohës.
Ndonëse shumë larg në hapësirë e në kohë, ndonëse për shkaqe historike, politike, sociale e fetare krejtësisht të ndryshme dhe me përmasa jo të njëjta gjakderdhjeje, të dyja ngjarjet, si shtysë për krim, kanë shfrytëzuar urrejtjen njerëzore. Për fatin e keq të Francës Mesjetare, ku urrejtja ndërfetare kishte lëshuar rrënjë të thella, gjakderdhja e nisur Natën e Shën Bartolomeut, do të shtrihej anekënd vendit. Për fatin tonë të mirë, urrejtja politike që u përpoq të kultivonte Edi Rama në opinionin tonë qytetar, sidomos me humbjen katastrofike të Bashkisë së Tiranës, nuk gjeti mjedis të përshtatshëm pas 21 janarit, ndonëse qëllimi dukej açik dhe dëshira, si edhe përgatitjet, siç vërtetuan mediat, as mungonin më përpara, as munguan më pas me nxitje trazirash, me bllokime rrugësh etj. Sa për freskim të kujtesës, mjaft të rikujtonim deklaratat e Spartak Ngjelës se opozita s’do të tërhiqej edhe përpara humbjes së dhjetëra-mijëra jetëve njerëzish të pafajshëm, që të kuptonim se çfarë shtrirjeje do të dëshironte ai dhe aleatët e tij t’u jepnin ngjarjeve të 21 janarit të shkuar.
Edhe një qasje tjetër për Natën e Shën Bartolomeut parisian dhe për 21 janarin tiranas, çka e shpalos bardhë e zi ndërgjegjen e frymëzuesve të dy ngjarjeve. Vrasjet në Paris dhe, më pas, në mbi njëzet provinca, peshuan rëndë mbi popullaritetin e Katerina de Mediçis, një ndër mbretëreshat më në zë të Francës sa kohë qeverisi si regjente e të birit, Karli IX, (mbret, në kohën e Shën Bartolomeut parizian), paçka se për përgjegjësinë e saj dhe të të birit lidhur me ngjarjet janë përballur teza të ndryshme historike. Ngase, me sa duket, nënë e bir nuk e parashikuan dot reaksionin zinxhir që mund të merrnin përmasat e vrasjeve, ish-mbretëresha e ndjeu ndërgjegjen të brejtur dhe hoqi dorë përfundimisht prej politikës, duke iu përkushtuar artit.
Ndërgjegje e zbardhur.
Përkundrazi, frymëzuesi i 21 janarit, sado që e parashikoi paraprakisht se “protesta mund të dilte jashtë kontrollit”, nuk ndjeu kurrfarë brejtjeje të ndërgjegjes as kur i drejtonte protestuesit nga Kulla e Fidelit dhe mund t’i ndalonte me një telefonatë të vetme, as sot, pas një viti, kur pamjet filmike që tregonin mësymjen e egër të protestuesve ndaj forcave të policisë, kanë qarkulluar në televizionet e botës mbarë dhe kanë nxjerrë në pah fajtorët.
Ndërgjegje e nxirë.
“E zeza” jonë do të kishte mundësi të zbardhej sadopak, sikurse ajo franceze. Aq më tepër kur individi, bartës i një ndërgjegjeje të përlyer, ndonëse me formim intelektual të cunguar artistik, do të ndihej më mirë brenda artit, sesa brenda politikës, ashtu sikur edhe e famshmja Katerinë de Mediçis.
Tashti që po mbushet vitit i trazirave të Tiranës, mësojmë se socialistët dashkan “të respektojnë më shumë ritet tradicionale shqiptare të ngushëllimeve, sesa një manifestim publik homazhi”. Sipas kronikës së një gazetari që duket se përçon të rejat “majtiste” në faqet e një të përditshmeje të pavarur të kryeqytetit, “...ndryshe nga ç’flitej, se më 21 janar opozita do të mblidhte sërish qytetarët në bulevard për të rikujtuar edhe një herë ngjarjen e rëndë..., është rënë dakord se ky përkujtim duhet të zhvillohet më pranë familjeve të viktimave”.
Që të vdekurit të përkujtohen në përvjetorët e largimit nga kjo jetë, kjo s’ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Personalisht, përfitoj nga rasti që përmes këtij shkrimi, t’u shpreh familjeve të viktimave dhimbjen time njerëzore në përvjetorin e humbjes së të afërmve të tyre. Të rrojnë dhe t’i kujtojnë për jetë e mot.
E keqja flluskon në çastin kur “ritet tradicionale shqiptare” shpërdorohen politikisht, çka opozita jonë e ka shpërdorimin në agjendën e vet politike. Me nëntekst lehtësisht të lexueshëm, ajo ëndërron një 21 janar të dytë, plot një vit pas të parit. Dhe, po të mbajmë parasysh se, siç shprehet gazetari i paanshëm me krye majtas, “...harta gjeografike në të cilën banojnë familjarët e viktimave është e gjerë...”, se “PS do të ndajë disa grupe deputetësh, të cilët do të shkojnë në Fier, Gjirokastër, Lezhë, por dhe në Tiranë...” dhe se “pritet që organizime të tilla, të ketë dhe nga degët e PS në këto rrethe...”, nuk do të ishte vështirë të kundronim edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, i cili, siç vëren gazetari i njohur Kostaq Xoxa, “i ka fals të gjitha përbetimet...”
Pyetjet janë të thjeshta dhe vijnë vetiu: Ç’nevojë ka për publicitet mediatik ky vendim i socialistëve? Thirrje për qetësi apo, hidh gurin e fshih dorën, për të nxitur trazira? Cili do të kishte qenë efekti më i madh në opinion, paralajmërimi i bujshëm apo befasia e mediave përpara faktit të kryer, kur përfaqësuesit socialistë do të kryenin “ritet tradicionale shqiptare”?
Secila prej pyetjeve, si edhe shumë të tjera kësisoj, bartin vetvetiu edhe përgjigjen, për çka do të ishte e kotë të merreshim me komente. Nga ana tjetër, kambanës i duhet rënë sa më fort: Ruajuni të pabesëve që të vrasin natën dhe të qajnë ditën!...