E Diel, 1 Nëntor 2026

Liliputët e institucioneve po godasin kullën më të lartë shqiptare, Tolerancën

17-01-2012 / Redaksionale

Mbështetja konstante e Bamir Topit ndaj Kreshnik Spahiut, nënkryetar i Këshillit të  Lartë të Drejtësisë, e ka kthyer KLD-në, nga një institucion i rëndësishëm kushtetues, në një institucion me synime të pastra politike. Leximi i kësaj mbështetje të pakursyer dhe  prekja e këtij institucioni të pavarur kushtetues nga politika, ka ardhur si nevojë e drejtpërdrejtë e presidentit Bamir Topit për të faktorizuar sërish në politikën aktive, pas mbarimit të mandatit 5-vjeçar. Prej një viti Kreshnik Spahiu, zëvendës i Bamir Topit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ka filluar një fushatë politike, të ngjyrosur me tone nacionaliste, për të përgatitur terrenin e zotërisë së tij bamirës. Presidenti i Republikës e ka lejuar që nr. 2 i drejtësisë të niste një punë të dytë, me orar të plotë pa i kërkuar llogari për mungesën në detyrën funksionale.
Sakaq neglizhimi i paskrupullt i detyrës shtetërore, i shkeljes flagrante të Kushtetutës, i pështjellimit institucional, dhe performanca e dobët e sistemit të drejtësisë janë si pasojë e plotësimit të dëshirës së bamirësit nëpërmjet Spahiut për të  ndërtuar  një pol magnetik djathtas me qëllim tërheqjen ndaj vetes së një shumë votash.
Afërmendsh marrja me politikë e një funksionari të lartë të drejtësisë është evidentuar në disa raporte ndërkombëtare, që cilësojnë sistemin e drejtësisë jofunksional dhe drejtojnë gishtin për përgjegjësi ndaj qeverisë së drejtësisë, pra, i dyshes Topi-Spahiu. Gjendja akute e krijuar me dashje në sistemin e drejtësisë ka alarmuar tejmase konstitucionalistët, që shohin në shpërdorimin e funksionit kushtetues një atentat ndaj Kushtetutës. Padyshim se gjithçka është bërë në dobi të agjendës politike të Bamir Topit dhe sjelljes raciste me karakter shovinist të Kreshnik Spahiut.
Kjo sjellje jo besnike dhe jo e drejtë ndaj Shtetit Shqiptar ka vënë jo pak herë në vështirësi diplomacinë shqiptare, e cila duhet të justifikojë një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, siç është Kreshnik Spahiu, përballë ankesave jo të pakta të ndërkombëtarë. Do të kish qenë në nderin e çdo Presidenti Republike të heshte duhmat raciste ndaj fqinjëve të krahut të tij të djathtë në drejtësi.
Mirëpo këtu jemi në situatën absurde kur KLD-ja është kthyer në seli të një partie politike. Aleanca kuq e zi është në fakt partia e Topit, por ngaqë u dekonspirua dhe u përfol që herët kjo lidhje e AKZ me Topin, që filloi organizimin si klub tifozësh, po përpiqet të formësohet në një parti politike në vete, me idenë që mund të tërheqë elektorat, por bashkëpunimin me Topin mund ta bëjë në çdo kohë dhe më shumë mënyra. Gjithashtu dy fjalë për Spahinjtë mund të thuhen, por kryesisht se janë përçudnim anakronik që u bëhet aspiratave legjitime të shqiptarëve. Me kalërimin e urrejtjes ndaj fqinjëve dhe minoriteve në vend e identifikojnë Shqipërinë me një vend jotolerant, paçka se toleranca shqiptare është vetia më karakteristike me të cilën krenohemi me të drejtë.
Sidoqoftë rikthimi i normalitetit në një institucion të rëndësishëm, si Presidenti i Republikës, e për rrjedhojë frymëzimi konstruktiv i gjithë sistemit shtetëror: me KLD, Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shqiptar do të vijë nga ndërveprimi i antikorpit të demokracisë, që është Parlamenti Shqiptar. Është parlament  i sovranit që merr masa fortifikimi apo pastrimi kur lëkundjet në sistemit janë të panatyrshme.     

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›