E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i rrugëve, do të kompensohet dhe prishja e ndërtimeve informale

04/08/2011  Vendimi i shtrin efektet deri në dhjetor të vitit 2012

Të gjithë personat që kanë banesa ose shtesa pallatesh në poçes legalizimi dhe që preken nga ndërtimi i rrugëve apo punëve të tjera publike, tanimë do të përfitojnë kompensim nga shteti njësoj si pronarët e tjerë. Këshilli i Ministrave ka marrë dje vendim për ndryshimin e vendimin të mëparshëm “për kriteret teknike të vlerësimit dhe përllogaritjen e masës së shpërblimit të pasurive që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të të drejtave të personave të tretë për interes publik”, që përjashton këtë kategori nga dëmshpërblimi, në rast se në vendin ku ata kanë ndërtuar parashikohet të ndërtohen vepra publike. Por natyrisht bëjnë përjashtim nga ky vendim të gjithë personat që nga ana e ALUIZNI-it nuk u është njohur e drejta e legalizimit, pasi në vendin që ata kanë ndërtuar kanë ekzistuar më parë projekte për ndërtim rrugësh apo vepra të tjera.

Kriteret

Në vendimin e qeverisë jepet dhe procedura apo kriteret që duhet të plotësojë një ndërtim pa leje që të mund të marrë kompensimin nga shteti. “Ndërtimi pa leje ose shtesa pa leje që zotëron subjekti që shpronësohet, gëzon statuset i vetëdeklaruar e i kualifikuar më parë për leje legalizimi nga ALUIZNI sipas të gjitha kritereve të vendimit nr. 438, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar objektet në ndërtim që legalizohen ose jo”, i ndryshuar; zotëruesit e objektit që janë në proces për t’u pajisur me leje legalizimi, pasi disponohet një akt i Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare, në zbatim të ligjit nr. 9482, datë 3.04.2006, i ndryshuar, që identifikon objektin e tyre dhe këtë subjekt (person fizik/ juridik) si zotërues të objektit pa leje apo shtesës pa leje në parcelën ndërtimore; subjekti zotërues ka ngritur objektin në tokë të tij /shtetit dhe nuk është skualifikuar nga procedura e legalizimit.

Hyrja në fuqi

Vendimi i cili hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare i shtrin efektet e tij deri në dhjetorin e vitit 2012, datë në të cilën mendohet që të ketë përfunduar dhe procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje. Pra, me anë të këtij vendimi të gjithë ata persona të cilët kanë arritur ta fusin ndërtimin, dhe tokën që zotërojnë në poçes legalizimi do të kompensohen deri më një nga shteti, procedurë kjo që më parë kishte mbetur pezull. Kjo u vu re dhe në disa prishje ndërtimesh, si për shembull, në zonën e Porto-Romanos, ku për të kaluar rruga për në parkun industrial që do ngrihet në këtë zonë duheshin prishur disa ndërtime pa leje, por kjo solli irritim të banorëve të zonës, të cilët i paraqitën policisë ndërtimore dhe dokumentet e legalizimit. Pas këtij vendimi të gjithë atyre që i janë prekur shtëpitë apo lokalet do të përfitojnë kompensim nga shteti njësoj si të tjerët.

Hipotekat

Pas verifikimit ALUZINI ndërpret procedurat

Por çfarë ndodh në rast se atje ku është ndërtuar pa leje do të kalojë projekti për ndërtim rruge. Menjëherë pas kësaj ALUIZNI ndërpret të gjitha procedurat, dhe kjo parashikohet në një nga pikat e vendimit të qeverisë “përjashtimisht në zbatim të detyrimeve sipas këtij akti ALUIZNI për të gjitha dosjet e subjekteve vetëdeklaruese, të kualifikuar sipas paragrafit 1, arkivon me shënim të veçantë dosjen dhe pezullon çdo veprim administrativ të mëtejshëm me marrjen e urdhërimit për pezullim nga ministria e linjës. Këto dosje të ALUIZNI-t arkivohen si praktika të veçanta pas dërgimit nga MPPT-ja të listës së pasurive dhe numrit rendor të subjektit në vendimet respektive të Këshillit të Ministrave dhe janë subjekt depozitimi në Arkivin e Shtetit”, çka do të thotë se menjëherë pas kësaj procesi s’ka nevojë të kalojë në hipotekë, por subjekti në fjalë futet në listat e kompensimit dhe dëmshpërblehet në bazë të ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›