Topi-Jiechi, vlerësojnë marrëdhëniet Shqipëri-Kinë

Presidenti Bamir Topi në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm kinez, Jang Jiechi nënvizoi faktin se kjo vizitë e nivelit të lartë është një tjetër tregues i bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë mes Shqipërisë e Kinës.
Presidenti Topi shprehu besimin se këto marrëdhënie shumë të mira reciproke dhe bashkëpunimi ndërshtetëror mes dy vendeve do të forcohen edhe më tej në të ardhmen. Kreu i Shtetit theksoi se kompanitë kineze janë të mirëpritura për të investuar në energjitikë, infrastrukturë hekurudhore, ndërtimin e parqeve industriale, në turizëm, etj.
Presidenti Topi, duke folur për situatën e re gjeopolitike në rajonin tonë, pas krijimit të shtetit të ri të pavaruar të Kosovës, vlerësoi rolin konstruktiv dhe stabilizues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit dhe shprehu bindjen se e ardhmja e përbashkët e popujve të tij, është integrimi.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm kinezvlerësoi përparimin dhe arritjet ekonomike të Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht edhe mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez për kontributin historik dhe mbështetjen e dhënë nga vendi ynë në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.