“Miqësia Folk”, grekë e shqiptarë hedhin këngë e valle në Gjirokastër
“Miqësia Folk” titullohet Festivali i Muzikës Popullore që ka nisur zhvillimin e tij sëfundi në Gjirokastër. Ky aktivitet ka për qëllim promovimin e kulturës shqiptare dhe njohjen me atë të fqinjëve të Greqisë së Veriut. Grupe të ndryshme të këngës popullore nga Shqipëria Juglindore dhe Veriu i Greqisë interpretojnë me këngët e vallet e tyre tradicionale në këtë aktivitet që gëzon mbështetjen e Bashkimit Europian, Qarkut të Gjirokastrës dhe Bashkisë Zagori (zona veriore e Greqisë). Festivali vjen në kuadër të programit për një fqinjësi të mirë mes dy popujve. Skena e festivalit ka qenë natyra, ndërsa grupet në natën e parë të tij janë vendosur në bulevardin e “qytetit të gurtë” ku instrumentistë, këngëtarë e valltarë popullorë kanë përcjellë kulturën dhe traditën e trashëguar e natyrisht, të pasuruar brez pas brezi. Grupet shqiptare të natës së parë përfaqësonin Gjirokastrën, Tepelenën, Sarandën, e Vlorën. Ndër to ishin “Zëri i bilbilit”, “Kurora labe”, etj.
150 studiues në Seminarin e Albanologjisë në Ohër
Po zhvillohet këto ditë në qytetin e Ohrit në Maqedoni, Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë. Rreth 150 ekspertë e studiues nga Maqedonia, Shqipëria, Franca, Gjermania, Hungaria, Bullgaria, Rusia, Ukraina, etj., diskutojnë dhe mbajnë referate mbi temat më të prekshme të ditëve të sotme lidhur ngushtë me zhvillimet, tematikat, kahjet dhe problematikën e gjuhës, letërsisë, historisë dhe etnokulturës shqiptare. Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë organizohet nga Universiteti i Tetovës dhe ka mbështetjen e kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski.
23 Shtator 2008