Edmond Kapllani optimist: “Në Hungari të guxojmë për fitoren”
“Shpresoj të jem gati për ndeshjen kundër Volsburgut”. Duket se gjithçka po fillon të ecë në drejtimin pozitiv për sulmuesin e Karlsuhes, Edmond Kapllani, pas dëmtimit në muskujve të kofshës
të majtë. “Jam stërvitur i veçuar nga ekipi, duke bërë vrapime nën kujdesin e fizioterapistit Stefën Viemen”, - tha nga Gjermania për “Albania”-n, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili me 5 golat e tij në fushatën kualifikuese të Euro 2008, mban edhe rekordin të golave për një edicion zyrtar. Autori i 17 golave kur Karlsruhe luante në Bundesliga 2 humbi të dielën mundësinë për të luajtur kundër Shtutgardit në Bundesligën 1 (Karlsruhe humbi 3-1), teksa të njëjtin fat ka dhe në Kupën e Gjermanisë, kur të mërkurën ekipi i tij do të luajë kundër Kickers Offenbah. “E rëndësishme është që po përmirësohem shpejt. Kjo më bën optimist, pasi shpresoj të kem minutat e mia në ndeshjen kundër Volfsburgut në fundjavë”, - shton durrsaku.
Tema e Kombëtares është edhe pika e “nxehtë” e intervistës me ish-sulmuesin e Partizanit. Të qenit e Shqipërisë në krye të grupit 1 me pikë të barabarta me Suedinë e Danimarkën, por përpara dy kundërshtarëve të radhës, Hungarisë e Portugalisë, Kapllani e shikon si një faktor pozitiv që mund të ndikojë shumë pozitivisht. “Hungaria është një mundësi e mirë për të marrë pikët e radhës. Nuk besoj se kemi diferenca të mëdha në individualitete. Tre pikë të plota në Budapest nuk ka arsye që të mos i marrim ”, - thotë autori i golit të dytë në miqësoren 2-0 të fituar me Lihtenshtejnin, por që nuk mundi të luante asnjë minutë në sfidat zyrtare kundër Suedisë e Maltës.
“Kemi një grup të mirë për të arritur suksesin, kështu që do të besoja edhe për ndonjë surprizë me Portugalinë. Kualifikimi në Botëror? Është bukur të ëndërrosh. Jemi ende në vend të parë...”, - përfundon autori i 6 golave kuqezi.
Skela në dyshim kundër Mënshengladbahut
Energi Kotbusi do të luajë të martën kundër Borusias së Mënsgjengladbahut për Kupën e Gjermanisë pa fantazistin e saj Ervin Skela. Sipas faqes së Radios së Berlinit, rbb-online.de, shqiptari pati një dëmtim të lehtë në ndeshjen e së shtunës kundër Bokumit (1-1). Të hënën Skela iu nënshtrua edhe një kontrolli mjekësor për të parë edhe masën e dëmtimit të tij.
Energi Kotbus të shtunën shënoi edhe golin e parë për këtë sezon në Bundesligë (Sorensen) e Skela është vlerësuar nga “Kicker” me notën 4 (e pëlqyeshme), por nuk i shpëtoi dot një kartoni të verdhë kundër ekipit të Mërgim Mavrajt (nuk luajti).
Çfarë tersllëku, edhe Toski i dëmtuar
Duket se të gjithë lojtarët shqiptarë që luajnë në Gjermani kanë të njëjtin fat. Jo vetëm Skela (në dyshim kundër Mënshengladbahut) e Lala (i pezulluar kundër Shalkes), por edhe talenti kosovar i Eintrahtit të Frankfurtit nuk do të jetë në dispozicion të ekipit të tij për ndeshjen e Kupës së Gjermanisë kundër Hansa Rostokut. Mesfushori sulmues 20-vjeçar, i konsideruar si Mikael Balaku i ri, u dëmtua në minutën e 35-të të ndeshjes kundër Shalke 04 në Bundesligë. “Ai (Toski) duhet të pushojë tre-katër ditë dhe nuk do të luajë edhe të dielën kundër Arminia Bielefeldit”, - tha trajneri Funkel, i cili shtoi se kundër Hansës së Bundesligës 2, Eintrahti i tij do të luftojë për fitore nga minuta e parë.
23 Shtator 2008