Curri: “Te Vorskla ëndërrojnë titullin”
Në tetë javë kampionat Vorskla Poltavën e ndajnë vetëm 4 pikë nga kryesuesi i “Vysha Ligës”, Metalurg Donjeck (21). Të dielën skuadra e treshes kosovare Curri-Dallku-Jonuzi doli fitimtare kundër skuadrës së vështirë të Dnipro Dinpropetrovsk (1-0), dhe atmosfera në shtëpinë e klubit ukrainas është optimiste.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por ajo që ka rëndësi në futboll janë pikët. Ato i morëm ne. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, sidomos në pjesën e dytë. Në fakt të gjitha mediat ukrainase na konsideronin ne favorit, edhe pse më duhet të pranoj se Dnipro ka emër më të madh këtu”, - thotë nga Ukraina për Albania-sport.com Debatik Curri.
“Edhe trajneri i ri i Dnipros, i cili ka vetëm dy javë që e drejton ekipin e pranoi supermacinë tonë. Edhe ato pak raste që pati Dnipro, nuk mundi të çante mbrojtjen tonë”, -shton Curri, i cili ka shënuar deri tani 2 gola në kampionatin ukrainas. Në prapavijën e Vorsklës luan edhe Armend Dallku, autori i golit të tretë të Shqipërisë kundër Maltës. “Armendi është një titullar i padiskutueshëm në mbrojtje, është bërë një emër i rëndësishëm në futbollin ukrainas”.
Të shtunën është sfida e radhës me Metalist. “Vijnë direkt poshtë nesh, por i kemi të gjitha mundësitë për t’i mposhtur. Jemi në super-formë, kemi fituar 3 ndeshje jashtë. Titulli? Këtu kanë filluar të ëndërrojnë edhe për të”, - thotë numri 20 i Vorsklës, i cili ka shënuar edhe një gol kundër Dinamos së Kievit.
Duke u larguar nga shtëpia e Vorkslës, ia vlen të përmendim se Parid Xhihani, sulmuesi kavajas që luan te ukrainasit e Zorias ka shënuar golin e tij të pestë në ndeshjen që skuadra e tij fitoi me rezultatin 3-2 në transfertë kundër FC Kharkivit. Por, edhe mesfushori Dorian Bylykbashi la gjurmën e tij në javën e 8-të. Elbasanasi me golin e tij nga pika e bardhë i dha një pikë skuadrës së Krivbas Krivoj Rog në barazimin 1-1 kundër Tavria Simferopolit. Ky ishte goli i tretë për Bylykbashin në këtë sezon. Pikërisht te Dnipro, kundërshtari që mposhti dyshja Curri-Dallku do të luajnë disa muaj më pas Dorian Bylykbashi e Ervin Bulku. Debatiku thotë për transferimin e futbollistëve shqiptarë nga Krivbas Krivoj Rog te Dnipro. “Të dy ekipet kanë të njëjtin sponsor. Me vlerat që kanë të dy do të jenë një ndihmë e mirë për Dnipron”.
Cana bën kritikun: “Na duhej një gjysmëgoli”
Olimpiku i Marsejës është i dyti në Francë, por diferenca me Lionin e vendit të parë brenda pesë gjashtë javëve është 4 pikë, ç’ka tregon se kampioni në fuqi, duke se edhe këtë sezon do të jetë violina e parë e kampionatit transalpin. Në ndihmë të Lionit kanë ardhur edhe dy barazimet e fundit të Marsejës me Bordonë në transfertë e Monakon në shtëpi. Kapiteni Lorik Cana, i cili të martën shënoi golin e tij te parë në Ligën e Kampionëve kundër Liverpulit, u shpreh i pakënaqur me nivelin e lojës që tregoi Marseja. “Nuk e patëm atë mundësi të artë për të shënuar, duhet ta kishim shënuar atë dreq goli të vogël. Nuk bëmë një ndeshje të madhe, por ishte e mjaftueshme për të bërë diferencën. Me grintën e cilësitë tonë, duhet të kishim kërkuar vetëm fitoren”.
Incidenti në Peqin, prokurorët sportivë nisin hetimin
Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë një hetim për ngjarjet në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit të ndeshjes mes Shkumbinit dhe Besës, takim i mbyllur me fitoren e skuadrës peqinase me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe i vlefshëm për javën e 4-t të Kategorisë Superiore. Ngjarjet e dhunshme, në të cilën pati edhe një gjakosje (në buzë) të mesfushorit sulmues të Besës, Bekim Kuli, pas një konfrontimi në korridoret e dhomës së zhveshjes.
Incidenti u shndërrua në një skup mediatik, falë edhe shoqërimit për pak minuta të trajnerit të Besës, Ilir Daja. “U ndalua vetëm për 10-15 minuta”, - tha deputeti i zonës së Peqinit, Dash Sula për “Skaner kampionat” në televizonin “Alsat”. Ngjarja bëri xhiron e lajmeve në mediat televizive e ato të shkruara shqiptare, por pa mundur të hedhë dritë mbi të vërtetën edhe pse sekretari i Klubit të Futbollit të Shkumbinit, Astrit Isai foli për “Ora Neës” e presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili ndërhyri në “Alsat”. Së fundi, mësohet se takimi problematik do të jenë objekt hetimi nga ana e inspektorëve të Komisionit të Disiplinës në Federatën e Futbollit, apo “prokurorëve sportivë’, siç konsiderohen në një terminologji më të guximshme dy punonjësit e frikshëm të FSHF-së. Deri tani selia “topit gjithmonë të rrumbullakët shqiptar” ende nuk ka një prononcim qoftë etik publik. Sipas asaj që ka zbuluar dje “Sporti Shqiptar” vendimi për atë që ndodhi në Peqin do të jepet vetëm javën e ardhshme. “Pavarësisht sherrit dhe faktit se një lojtar përfundoi i gjakosur në zonën teknike të stadiumit, duket e vështirë që Federata të marrë masa në adresë të Shkumbinit. Nga burime të sigurta në Federatën e Futbollit, mësohet se delegati i ndeshjes nuk ka shkruar asgjë në raport, pasi ka qenë duke shoqëruar arbitrat në ato momente”, - përfundon artikulli i gazetës më të vjetër sportive shqiptare në versionin e saj online.
Te Hanoveri, dy orë mbledhje për krizën
Te Hanover nuk diskutojnë vetëm për gjendjen e dëmtimeve e të sëmurët që kanë arritur kulmin, por së fundi drejtuesit e klubit janë mbledhur për të analizuar edhe rezultatin e mjerueshëm në Leverkuzen. Për këtë, të dielën gjatë stërvitjes së mëngjesit për dy orë trajneri Heking, drejtori sportiv Hohshteter e lojtarët patën një debat me tone të nxehta për “vrimën sa një shpellë” të hapur në Leverkuzen, ku Hanover humbi 4-0. Gazeta popullore gjermane “Bild” rrëfen edhe detaje nga takimi i nxehtë.
Trajneri Heking: “Ne duhet të dalim urgjentisht nga kjo situatë. Secili duhet të japë kontributin e tij”. Jan Shlaudraf flet për “Bild”. “Ne diskutuam rreth kësaj teme, pasi ne vetëm pas ndeshjeve të kthimit kemi bërë këto rezultate, për këtë ne duhet të përmirësohemi”. Edhe zëvendëskapiteni Altin Lala jep mendimin e tij: “Mund të ketë edhe mendime të kundërta, por kjo është një situatë e vështirë”. Shefi i Hanover 96, Martin Kind i jep akoma më rëndësi situatës. “Mund të humbasësh, por si? Kaq dramatike e ka zbuluar, nuk është e pranueshme”. Hanoveri i Altin Lalës ndodhet në një krizë të panjohur kurrë më parë. Nuk është financiare, por mungesë lojtarësh. Të martën do të luajë kundër Shalke 04 në Kupën e Gjermanisë, por ekipi nga Saksonia e Poshtme ka 14 mungesa e për këtë ka bërë një lutje Federatën Gjermane të Futbollit që ndeshja të shtyhet. “Ne jemi në një situatë të jashtëzakonshme, të cilën unë nuk e kam përjetuar kurrë”, - tha drejtori sportiv i Hanoverit, Kristian Hohshteter. Trajnerit Dieter Heking i mungojnë për momentin 14 futbollistë nga grupi i tij prej 28 lojtarësh. Shtatë futbollistë janë infektuar me virusin e gripit, e gjashtë të tjerë janë të dëmtuar. Këtyre të këqijave u shtohet edhe pezullimi i mesfushorit shqiptar Altin Lala.
23 Shtator 2008