Dule propozon te Berisha ministrin e ri, Barka: Kam mbështetjen e kryeministrit
Barka
Ndërkohë, në lidhje me shkarkimin ka reaguar dhe ministri Kosta Barka, i cili është shprehur se në lidhje me vendimin e Dules është njoftuar nëpërmjet medias. Barka i hodhi poshtë pretendimet e Dules në lidhje me këtë çështje, kur tha se në institucionin që ai ka drejtuar ka bërë reforma të thella. Barka u shpreh se ka qenë ministër i suksesshëm dhe se për projektet e së ardhmes ka siguruar dhe mbështetjen e kryeministrit Berisha “Kërkesën e kryetarit të partisë për largimin tim nga posti i ministrit e kam mësuar nga media. Unë di se jam ministër, kam bërë një reformim të plotë të gjithë sistemit të mbrojtjes sociale dhe për projektet në të ardhmen kam siguruar edhe mbështetje të kryeministrit Berisha. Jam i predispozuar për t’iu përgjigjur të gjitha detyrimeve institucionale që kam dhe si ministër jam në performancën më të mirë për t'iu përgjigjur qytetarëve shqiptarë, në mënyrë të veçantë grupeve në nevojë”, - tha Barka. Në lidhje me shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Barka u përgjigj se ky i fundit nuk iu përgjigj me punën e tij detyrimeve shtetërore. “Marto nuk iu përgjigj detyrimit institucional dhe si person përgjegjës para qeverisë vendosa largimin e tij, sepse jam i detyruar t'i përgjigjem detyrimeve si ministër që të shëndosh administratën shtetërore”, - tha Barka.