Edhe Ferati ‘zviceran’
Përfaqësuesja e Zvicrës vazhdon të shtohet me futbollistë shqiptarë. Listës së gjatë me emrat e futbollistëve shqiptarë që i mbrojnë ngjyrat e shtetit helvetikë, tani i është shtuar edhe Beg Ferati.
Futbollisti kosovar është ftuar për herë të parë në përfaqësuesen A të Zvicrës nga përzgjedhësi, Ottmar Hitzfeld për ndeshjen miqësore të 10 gushtit kundër Litenshtajnit.
Ferati bëhet futbollisti i shtatë shqiptar në reprezentacionin zviceran, ngjyrat e të cilit i mbrojnë edhe këta lojtarë: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Albert Bunjaku, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.
Mirëpo, në miqësoren e 10 gushtit ndaj Litenshtajnit do të luajnë vetëm katër prej tyre - Ferati, Shaqiri, Xhemajli e Mehmedi, sepse Xhaka, Behrami janë të lënduar, derisa Bunjaku ende nuk është rikthyer në formën e mëparshme shkaku i një lëndimi të rëndë që e pati pësuar.
24 vjeçari është njëri prej tri risive që Hitzfeld i solli në përfaqësuesen helevetike për miqësoren e 10 gushtit, e cila do të zhvillohet në Vaduz. Strategun gjerman e karakterizon fakti se shpesh në përfaqësuesen zvicerane fton futbollistë të rinj dhe shumë nga ta dëshmohen kur u jepet ky rasti.
Nga edicioni i ri, Ferati do të aktivizohet në Bundesligën gjermane me Freiburgun, ku u transferua gjatë kësaj vere nga kampioni zviceran, Basel.
Zvicra U-21 fton Kasamin e Abrashin
Pa futbollistë shqiptarë keq nuk po mbetet as përfaqësuesja U-21 e Zvicrës. Selektori i këtij reprezentacioni, Pierluigi Tami, për miqësoren e 10 gushtit ndaj Italisë në ekipin e tij i ka ftuar dy futbollistë shqiptarë. Bëhet fjalë për mesfushorin e ri të Fulhamit, Pajtim Kasami dhe mesfushorin e Grasshopperit, Amir Abrashi.
‘Tifozët Kuq e Zi’ i quajnë tradhtarë
Zvicra e Valon Behramit, Blerim Xhemajlit, Albert Bunjakut, Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, Admir Mehmetit dhe Beg Feratit në fazën eliminatore për Botërorin ‘Brazili 2014’ do të garojë në Grupin E bashkë me Kombëtaren e Shqipërisë.
Lojtarëve shqiptarë të Zvicrës nuk u ka pëlqyer fakti që do të luajnë ndaj kuqezinjve, pasi frikësohen se mund të konsiderohen si ‘tradhtarë’ nga tifozët shqiptarë.
Por, tifozët e Kombëtares shqiptare ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë paralajmëruar se në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Zvicrës, në Tiranë futbollistët shqiptarë të shtetit helvetik do të priten si tradhtarë.
“Ata janë tradhtarë dhe do të trajtohen si tradhtarë, as më mirë dhe as më keq se tradhtarët”, ka thënë për ‘Start’ njëri prej prijësve të Tifozëve Kuq e Zi, Jetmir Salihu.
“Emrin e Zvicrës e kemi pritur me shumë kënaqësi kur doli nga shorti. Që tani po mendojmë se si do të organizohemi për atë ndeshje, edhe pse ende nuk e dimë se kur do të zhvillohet”, ka theksuar ai.
Pjesë e këtij grupi janë edhe Qiproja, Islanda, Norvegjia dhe Sllovenia.