E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Ja kushtet si mund të ulen çmimet

27/10/2009  Tregu i ndërtimit

Shqetësimet e vazhdueshme të ndërtuesve lidhen me mungesën e partneritetit me qeverinë, mungesën e strategjive për sektorin e ndërtimit, mungesën e planeve rregulluese në qytete, por dhe arbitraritetin e administratës tatimore. Nuk është hera e parë që ndërtuesit kërkojnë rregullimet e nevojshme ligjore me qëllim normalizimin e biznesit të ndërtimit. Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve kanë theksuar se çmimet e apartamenteve mund të ulen vetëm nëse zhbllokohen këto ngërçe, për të cilat janë vënë në dijeni organet kompetente. Sipas tyre, zbatimi i mjaft ligjeve, veçanërisht atyre që lidhen me vendosjen e referencave është një shfaqje e mentalitetit të gabuar qeverisës. Ndërtuesit i kanë paraqitur qeverisë prej kohësh një paketë masash stimuluese për të lehtësuar biznesin e ndërtimit të goditur nga kriza, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Ndërtimi është një ndër sektorët që jep kontributin më të madh në rritjen ekonomike të vendit. Sipas shifrave zyrtare, shoqëritë e ndërtimit aktualisht qarkullojnë rreth 1.5 miliardë euro në vit, por ndërkaq janë mbi 4 mijë apartamente që kanë mbetur pa u shitur në të gjithë vendin. Aktiviteti i ndërtimit aktualisht është tkurrur si pasojë e reduktimit të likuiditeteve, ndërsa bankat kanë prerë kreditimin e këtij sektori, i cili ka rënë ndjeshëm sidomos këtë vit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›