E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompetencat, përplasje mes Këshillit dhe kryebashkiakut

27/10/2009  “Mollë sherri” hapja për lëvizjen e makinave në bulevardin kryesor

Çështja mund të shkojë në gjykatë, pritet interpretimi juridik

ELBASAN- Këshilltarët e djathtë bojkotojnë sërish Këshillin Bashkiak pas debatit të radhës mbi moszbatimin e vendimeve të Këshillit nga Bashkia dhe kryesisht të atij për hapjen e bulevardit kryesor që qarkullimin e makinave. E djathta ka pritur një relacion të Bashkisë mbi kërkesën e tyre të bërë disa muaj rresht për zbatimin e disa vendimeve. Në fjalën e marrë Kryetari i Këshillit të Qarkut Blendi Himçi u shpreh se “bulevardi po mbahet peng nga bashkia. Ka një vendim për rregullimin e qarkullimit rrugor që në vitin 2007. Ligji përcakton se është Këshilli Bashkiak enti që vendos për bulevardin. Ndërkohë kryetarja e këshilltarëve të grupit të djathtë Bukuroshe Sejdini u shpreh se “nëse vendimet e Këshillit Bashkiak nuk gjejnë zbatim ne do të largohemi nga këshilli. Ne deklarojmë se nuk do marrim pjesë në mbledhje për sa kohë që kryetari i bashkisë nuk merr në konsideratë kërkesat e Këshillit Bashkiak dhe nevojat e qytetarëve. Ne mendojmë të bojkotojmë mbledhjen”. Kreu i Bashkisë Qazim Sejdini ka reaguar duke e cilësuar detyrë të juristëve sqarimin e kompetencave. Ai ka theksuar se ky është një vendim politik i të djathtëve, por që do të sqarohet nga vetë ligji. Duke përfituar nga ky moment Sejdini ka kërkuar nga këshilltarët, që ky këshill t’i drejtohet me një letër falënderimi dhe të bëjë lobing për ndërtimin e rrugës me tunel Elbasan-Tiranë. Pasi kanë vazhduar debatin të majtë e të djathtë mbi hapjen apo të bulevardit dhe kompetencat, këshilltarët e djathtë kanë pranuar të qëndrojnë për miratimin e pikave më të rëndësishme, por duke u larguar më pas. Ato kanë lënë të hapur mundësinë për një mbledhje jashtë radhe për ndonjë pikë me rëndësi nga bashkia. Gjithashtu PD që ka mazhorancën në Këshill është duke pritur një përgjigje nga Bashkia mbi Bulevardin kryesor që qëndron i mbyllur si shëtitore gjatë gjithë ditës. Sipas të djathtëve, ajo duhet të kufizohet vetëm gjatë pasdites dhe në pjesën tjetër të jetë e qarkullueshme për mjetet duke lehtësuar në këtë mënyrë trafikun në qytet. Çështja mund të shkojë dhe në gjykatë nëse nuk gjen zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›