E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufijtë me Greqinë, Kushtetuesja ngrin marrëveshjen

Autori i Lajmit: Redaksia
Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste lidhur me ankimin e saj për caktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas një shqyrtimi të bërë dje të kërkesës së partive opozitare është vendosur që të pranohet vetëm ankesa e Partisë Socialiste dhe jo e partive të tjera opozitare. Kushtetuesja vendosi që shqyrtimi i kësaj çështjeje të nisë në datën 8 dhjetor. Ky vendim i Gjykatës ngrin dhe procedurat për ratifikimin e saj në Kuvend. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufirit detar mes dy vendeve ka sjellë një luftë të ashpër deklaratash mes opozitës dhe mazhorancës. Opozita ka akuzuar Qeverinë për mungesë transparence, ndërsa kjo e fundit ka shfrytëzuar rastin për ta ftuar atë në Kuvend ku mund të njihet me çdo informacion për paktin dypalësh.

Vendimi

Më 8 dhjetor ora 10.00, Gjykata Kushtetuese do të nisë shqyrtimin në seancën plenare të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë e Greqisë për kufijtë detarë. Me këtë vendim pezullohet dhe procedura e ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e një vendimi nga kjo Gjykatë. Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak kërkesën me objekt: Shqyrtimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Kërkesa ishte paraqitur në këtë gjykatë jo vetëm nga Partia Socialiste e Shqipërisë, por edhe nga Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia “Ligj dhe Drejtësi” si dhe partia G99. Por Kushtetuesja ka marrë për bazë vetëm kërkesën e PS-së. “Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese çmon se, bazuar në nenin 31 të ligjit nr 8577 dt. 10.02. 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, ekziston shkaku dhe baza ligjore për shqyrtimin gjyqësor të kërkesës vetëm sa i takon subjektit kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë“,- thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga kjo Gjykatë. Në përfundim të shqyrtimit, me shumicë votash, mbledhja e gjyqtarëve “vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare me subjekt kërkues PSSH dhe rrëzimin e kërkesës për subjektet e tjera. Pezullimin e procedurave të ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e vendimit përfundimtar” , - thuhet në vendimin e djeshëm të Kushtetueses. Pak kohë më parë Gjykata Kushtetuese ka kthyer mbrapsht kërkesën e gjashtë forcave politike të opozitës kundër marrëveshjes së kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas shqyrtimit të padisë, ankimi është kthyer mbrapsht duke u kërkuar forcave politike të sqarojnë statusin e tyre në këtë proces. Gjykata Kushtetues, e cila ka analizuar padinë, u ka kërkuar partive të paraqesin statutet e tyre.

Partitë ankuese

Partia Socialiste
Partia Socialdemokrate
Partia Demokracia Sociale
Partia Ligj dhe Drejtësi
Partia Demokristiane
Partia G99

Pranohet vetëm kërkesa e PS

Ky lajm është publikuar: 27/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›