E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Qeveria të marrë masa konkrete për krizën

Ndërtuesit i kanë bërë apel qeverisë që të reagojë me masa konkrete ndaj krizës globale, efektet e së cilës po ndihen në këtë sektor. Përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve kanë deklaruar se po përballet me vështirësi për shkak të rënies së fuqisë blerëse. 

TIRANE- Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë që të lerë mënjanë euforinë përballë krizës globale dhe të tregohet realiste duke ndihmuar sipërmarrjen private me masa konkrete. Përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve kanë deklaruar gjatë aktivit kombëtar se ky sektor ndodhet në vështirësi për shkak të rënies së fuqisë blerëse dhe mungesës së likuiditetit.

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve Luigj Aleksi në fjalën e tij u shpreh se “sektori i ndërtimit dhe tregu imobiliar po ballafaqohen me vështirësi të ndjeshme, ku për shkak të rënies së kërkesës konsumatore, vihet re një rënie e theksuar e shitjeve. Në bazë të të dhënave janë mbi 4 mijë banesa ende të pashterura”.

më tej Aleksi theksoi se “përballë një realiteti të tillë çdo shfaqe euforie do të tingëllonte e pakuptimtë, prandaj ne kërkojmë që qeveria të bëj çështje e mundur për të amortizuar valën goditëse të krizës globale financiare ekonomike në ekonominë tonë”.

Ndërtuesit kanë vënë sërish në dukje marrëdhënien e vështirë me qeverinë, duke i bërë apel kësaj të fundit bashkëpunim. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar rishikimin e disa vendimeve të Këshillit të Ministrave, si ai për fiksimin e çmimeve për materialet e ndërtimit, përcaktimin e detyrimeve tatimore mbi bazën e këtyre çmimeve, pagat e referencës e të tjerë. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›