Amerikanët kërkojnë heqjen e Jeremiçit?
Pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës në favor të vlefshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, autoriteteve të Beogradit u është rekomanduar nga Uashingtoni se është tamam koha e duhur që Serbia të ecë përpara dhe të arrijë marrëveshje me Kosovën, por kjo nuk do të mund të jetë e mundur nëse të gjithë “historinë” rreth Kosovës vazhdon ta udhëheqë ministri i Jashtëm aktual i Serbisë, Vuk Jeremiç, shkruante sot gazeta e përditshme serbe, “Blic”, duke iu referuar burimeve të mirinformuara diplomatike perëndimore. Pozita e Jeremiçit në fakt nuk është aspak e mirë në skenën politike të brendshme serbe, pasi partitë opozitare po e kritikojnë me forcë se ishte pikërisht ai që nguli këmbë që çështja e vlefshmërisë së pavarësisë së Kosovës të çohej në GJND, ku Serbia humbi me turp, duke pësuar kështu një shuplakë të fortë në skenën ndërkombëtare.
Shumëkush në Serbi, madje edhe brenda partive pozitare serbe, e konsideron humbjen e Serbisë në GJND edhe si humbje personale të Jeremiçit, ndërsa vënë në dyshim edhe përpjekjet e tij për të çuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një projektrezolutë tjetër të Serbisë për Kosovën. “SHBA dhe BE tani po theksojnë që Serbia të mos këmbëngulë te ndonjë projektrezolutë tjetër e saj për Kosovën në OKB, ose te ndonjë tekst që do të vazhdonte të insistonte për bisedime me Prishtinën për statusin e Kosovës. Nëse Serbia, sidoqoftë, do të vendosë që ta paraqesë projektrezolutën e vet për Kosovën, atëherë, me siguri SHBA dhe Shqipëria do të mund të paraqisnin një projektrezolutë të vetën për këtë çështje”, vë në dukje “Blici”, duke iu referuar një diplomati të lartë perëndimor.
#