E Diel, 1 Nëntor 2026

Meidani mungon, PS e akuzon për politikë në favor të Berishës

Rama për Meidanin: “...Atyre që hidhen përpjetë njësoj si Saliu, megjithëse janë kësaj e jo asaj ane, u them merreni më qetë. Ne e dimë çfarë flasim dhe çfarë duam të bëjmë...”

TIRANË Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani nuk ka qenë dje i pranishëm në Kongresin e Partisë Socialiste. Megjithatë, zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste nuk kanë hezituar ta shigjetojnë atë lidhur me një analizë të përgatitur nga ana e tij pak ditë më parë për synimin kryesor të socialistëve, atë të hapjes së vendeve të reja të punës.

Ish-presidenti Rexhep Meidani e konsideronte premtimin e Ramës për të hapur 300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë të PS-së në pushtet, një mashtrim të ngjashëm me premtimet 7-vjeçare të kryeministrit Sali Berisha. Duke analizuar me shifra mundësinë e punësimit në sektorin privat, Meidani u shpreh përmes një analize se duhen të paktën 3 deri në 4 miliardë euro për të arritur një shifër të tillë punësimi, çka përfshin një buxhet të tërë vjetor të qeverisë. Por deputetja e PS-së, aktualisht nënkryetare e komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli deklaroi dje gjatë fjalës së saj në Kongres se e gjithë kjo është false. Pa iu drejtuar me emër, por duke e lënë të kuptohet qartë, Kodheli shtoi se një qëndrim i tillë është i gabuar. “Ne do të krijojmë 75 mijë vende të reja pune për çdo vit të mandatit tonë të parë qeverisës. 300 mijë vende të reja pune në 4 vjet. Jemi akuzuar për mashtrim. U themi këtyre intelektualëve të nderuar: S’ju kishim dëgjuar ta bënit këtë akuzë për Saliun në 6 vjet. E bëtë vetëm 6 orë pasi u shpalos programi ynë. Jeni gabim dy herë. Së pari, sepse nuk akuzohen për mashtrim burra e gra të familjes suaj politike, të cilët kanë vënë dijet dhe fytyrën e tyre në një punë të gjatë e të mirëmenduar intelektuale. Së dyti, sepse ne e dimë mirë çfarë flasim dhe e dimë konkretisht se ku do t’i gjejmë vendet e punës”, - tha dje Kodheli gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend. Një koment për këtë çështje, e kishte dje edhe Kryetari i PS-së, Edi Rama. “Ne duam të hapim 300 vende të reja pune brenda një mandati qeverisës. 75 mijë çdo vit. Papunësia masive nuk shkon bashkë me një shoqëri të qytetëruar, janë dy drejtime krejt të kundërta. Atyre që hidhen përpjetë njësoj si Saliu, megjithëse janë kësaj e jo asaj ane, u them merreni më qetë. Ne e dimë çfarë flasim dhe çfarë duam të bëjmë, po ju a e dini se sot vetëm në fshat ka 500 mijë njerëz që qeveria i konsideron të vetëpunësuar, po në fakt janë të papunë apo të çerekpunësuar?”, - tha Rama gjatë fjalës së mbajtur në Kongres. Në programin e miratuar dje nga Kongresi i PS-së në kapitullin për ripërtëritjen e ekonomisë, PS-ja ka premtuar se me ardhjen në pushtet do të krijojë 75 mije vende të reja pune çdo vit dhe do të synojë punësimin me përparësi të grave dhe vajzave. Të gjithë të papunëve të regjistruar, PS-ja ka parashikuar t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda 2 viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›