E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, “pakt” me inxhinierët e arkitektët



Informaliteti në ndërtim, mosfunksionimi për një kohë të gjatë i KRRT-ve dhe KRRTRSH-së dhe lenia pas dore e ligjit “Për Planifikimin e Territorit” janë disa nga problematikat, që kanë bashkuar tri palë në një memorandum. Shoqata e Ndërtuesve, ajo e Arkitektëve dhe e Inxhinierëve Konsulentë, kanë rënë dakord për të bashkëpunuar, duke synuar respektimin e etikës profesionale në ndërtim dhe shkëmbimin e informacionit. Në “paktin” e tri palëve theksohet nevoja e ngritjes së institucioneve studimore, që të paraprijnë me studime profesionale e të trajtojnë pasuritë kombëtare, si dhe të japin strategjitë e zhvillimit në shfrytëzimin e pasurisë ujore, rrjetit rrugor, zhvillimit të turizmit. “Mungesa e një institucioni studimor dhe tekniko-ekonomik, i cili të merret me hartimin e normave dhe kushteve teknike në ndërtim. Kjo bëhet më urgjente me përafrimin e integrimit të Shqipërisë në Evropë. Duhet punuar me kritere për implementimin e Eurokodeve”, thuhet në memorandum. Lidhur me këtë nismë, palët shprehin vullnetin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin edhe me shoqatat e tjera, që zhvillojnë aktivitet në ndërtim, duke marrë përsipër zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta me profesionistë të fushës, për të rritur shkallën e informimit dhe ndërgjegjësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›