E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sa e sigurt është skema e pensioneve”



BLEDAR HOTI

Skema e pensioneve në Shqipëri është e sigurt. Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë për gazetën shpjegon përfitimet e skemës aktuale dhe nevojën për ndryshimin e saj. Sidoqoftë, Hado jep garancinë se asnjë qytetar, i punësuar që derdh kontribute, apo pensionist, nuk duhet të ketë mëdyshje për përfitimin e pensionit.
Qeveria e ka rritur mbështetjen financiare për ISSH gjatë vitit 2009. Pra, ka plotësuar mungesën e të ardhurave, për të mos cenuar pagesat e pensioneve. A mund të themi që skema aktuale e pensioneve është e rrezikuar?
Skema e pensioneve në Shqipëri është një skemë publike, e cila administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo skemë funksionon sipas parimit Pay As You Go, që do të thotë që kontributet e sigurimeve shoqërore të mbledhura në vitin korrent shkojnë për të paguar pensionet në po atë vit. Për shkak të ndryshimeve politike dhe ekonomike që ndodhën në fillim të viteve ‘90, numri i kontribuesve u ul ndjeshëm ndërsa numri i përfituesve u rrit. Për këtë arsye, kjo skemë është subvencionuar gjithnjë nga buxheti i shtetit. Vlen për të theksuar që subvencioni i buxhetit të shtetit në vitet e fundit është ulur ndjeshëm, për faktin se të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë rritur ndjeshëm nga viti në vit. Kjo ka ndodhur për faktin e rritjes së numrit të kontribuesve, deklarimin e pagës reale dhe përmirësimit të administrimit të mbledhjes së kontributeve dhe dhënies së përfitimeve. Pavarësisht krizës financiare që ka prekur gjithë botën, të ardhurat që janë mbledhur për kontributet e sigurimeve shoqërore gjatë vitit 2009 janë rritur ndjeshëm. Kjo provohet me faktin që në vitin 2009 janë mbledhur 3 miliardë lekë më shumë se në vitin 2008, si kontribut të sigurimeve shoqërore.
Skema e pensioneve është një skemë publike dhe e sigurt nga pikëpamja financiare. Ju jeni dëshmitarë që pagesa e pensioneve nuk është vonuar asnjëherë dhe pavarësisht situatës financiare, po vijohet me rritjen e tyre.
Në korrik ka hyrë në fuqi ligji që ul kontributet për sigurime me 5 për qind. Ka pasur kjo politikë efekt në rritjen e numrit të deklarimeve. Pra, a ka sot më shumë të punësuar që derdhin kontribute?
Ulja e normës kontributive në masën 5% të pjesës që paguajnë punëdhënësit, ka sjellë uljen e kostos së punës dhe si pasojë rritjen e numrit të kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe njëkohësisht deklarimin e pagave më të larta se në vitet e mëparshme. Ky reduktim i normës kontributive dhe reduktimet e mëparshme kanë sjellë formalizimin e punës dhe reduktimin e punës informale. Në vitin 2009, numri i kontribuesve në krahasim me numrin e kontribuesve në vitin 2008 është rritur me rreth 20000 vetë dhe të ardhurat me rreth 3 miliardë lekë.
është diskutuar disa herë dhe Banka Botërore ka nënvizuar në raportin e saj të para dy viteve, që skema aktuale do të shkojë drejt “falimentimit”. Sa larg kësaj pike jemi?
Nuk është e vërtetë që Banka Botërore ka thënë që skema aktuale do të shkojë drejt falimentimit. Banka Botërore ka thënë në raportin e vet se skema aktuale ka nevojë për reformë për periudhën afatgjate, për të rritur qëndrueshmërinë financiare të skemës. Në skemat e pensioneve, kuptimi i shprehjes afatgjatë do të thotë një periudhë nga 30 deri në 50 vjet. Kjo nevojë për reformë vjen si rezultat i presioneve demografike siç janë: ulja e lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë së qytetarëve, niveli i lartë i emigracionit të forcave të reja të punës etj. Të gjithë këto faktorë në periudhën afatgjate sjellin ulje të numrit të kontribuesve dhe rritjen e shpenzimeve për përfitime. Në këtë kuptim është thënë nga Banka Botërore dhe nga institucionet shqiptare, që sistemi i pensioneve ka nevojë për reformë. Gjithashtu, në kuadër të reformës duhet të krijohet sistemi shumë kolonësh në Shqipëri.
A ka ardhur koha që skema aktuale të ndryshojë?
Skemat e sigurimeve shoqërore në gjithë botën kanë nevojë për reformë. Kjo nevojë vjen si rezultat i ndryshimeve të faktorëve ekonomikë dhe demografikë, të cilët janë dinamikë dhe nuk mund të parashikohen për një periudhë afatgjatë. Në këtë kontekst edhe sistemi i pensioneve në Shqipëri ka nevojë për reformim. Për sa i përket pyetjes tuaj, nëse ka ardhur koha për reformë në skemën e pensioneve në Shqipëri, mund të themi se është koha që të fillojë reforma. Theksoj se kjo reformë nuk ka të bëjë me pensionistët aktualë dhe ata që dalin së afërmi në pension, por ka të bëjë me qytetarët që do të dalin në pension pas rreth 30 vjetësh. Qëllimi i reformës është rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës dhe rritja e masës së përfitimit për pensionistët e ardhshëm.
Në fund, sa të sigurt janë qytetarët shqiptarë që sot paguajnë kontribute, por edhe vetë pensionistët që i kanë paguar prej kohësh, që do të marrin pensionin pas disa vitesh?
Të gjithë qytetarët që janë pjesëmarrës në skemën publike të pensioneve janë të sigurt, për sa i përket pensioneve dhe kontributeve të paguara. Siç përmenda më lart, pensionet për qytetarët në pension janë të garantuar dhe qytetarët që janë kontribues i kanë pensionet e garantuara kur të mbushin moshën e pensionit. Reforma ka si qëllim pikërisht rritjen e qëndrueshmërisë financiare të skemës, rritjen e masës së pensionit, si dhe mbulimin me elementë të sigurimeve shoqërore të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në këtë kuadër, më lejoni të ritheksoj se skema e pensioneve në Shqipëri është e sigurt, e garantuar dhe se çdo reformë që mund të ndërmerret do të jetë në favor të qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›