Ndeshja e Pavarësisë, Shqipëria mund europianët me 11-metërsha.
Në fushën e tij kanë zbritur emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar dhe atij botëror, por mbrëmjen e së hënës “aktorët” e vërtetë të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” ishin diplomatët, politikanët, gazetarët dhe personalitete të tjera të sportit, artit e kulturës në vend. Pa kostumet me të cilët jemi mësuar t’i shohim çdo ditë, por me uniforma sportive ata ishin pjesë e një ndeshjeje të veçantë futbolli. E organizuar nga Zyra për Informim të Bashkimit Europin nën kujdesin e ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi dhe mbështetjen mediatike të “Albanian Screen” është zhvilluar në Tiranë “Ndeshja e Pavarësisë” mes skuadrave të Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Kupa u fitua nga ekipi i Shqipërisë vetëm pas goditjeve të 11-metërshave, ku koha e rregullt u mbyll 6-6. Me Giani De Biasi trajner dhe ambasadorin Sequi kapiten, skuadra e Bashkimit Europian kishte përballë ekipin shqiptar me trajner Astrit Hafizin dhe kapiten Erjon Bogadnin. Ndërkohë në përbërje të dy skuadrave ishin ish-futbollistë të përfaqësues shqiptare, si, Strakosha, Bushi, Murtaj, Jupi e Skela, ndërsa eksperienca e tyre ishte e ndërthurur me pasionin për sportin e politikanëve, si, Fino, Tahiri, Strazimiri, Mima e Shalsi por edhe të diplomatëve të huaj të akredituar në Tiranë, gazetarë e aktorë. I kotë avantazhi i shpejtë i skuadrës së Bashkimit Europian në pjesën e parë, pasi skuadra shqiptare do të barazonte rezultatin, duke bërë që koha e rregullt e ndeshjes të mbyllej me shifrat 6-6. Gjithçka do të vendosej nga pika e penalltisë, ku Shqipëria do të tregohej më e saktë, duke fituar Kupën e “Ndeshjes së Pavarësisë”. “Mesazhi është që shqiptarët kur bashkojnë forcat arrijnë të marrin rezultate dhe të fitojnë, ashtu si në këtë ndeshje. Po ashtu, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, ne donim të jepnim kontributin tonë të veçantë dhe të gëzueshëm. Prandaj vendosëm që skuadrat të ishin miks, me diplomat, politikanë, artistë dhe gazetarë. Të gjithë luajtën në mënyrë të gëzueshme, i pasuan topin njëri-tjetrit. Pra, mesazhi i kësaj ndeshjeje ishte ai i bashkëpunimit”, u shpreh në fund të ndeshjes ambasadori i BE-së, Ettore Sequi. Nertan Prifti
