E Shtunë, 31 Tetor 2026

Post-çelsi – Inter, flasin protagonistët

Hoze Mourinjo: “Ishim të përkryer. Është një moment i mirë për skuadrën dhe për lojtarët, pasi më në fund arritëm të thyejmë pengesën e 1/8-ave. Festova si asnjëherë tjetër në dhomat e zhveshjes. Sot (dje) jam trajneri më i lumtur në botë, “Stamford Bridge” është shtëpia ime. Çdo gjë te Çelsi më ka mbetur në zemër. Kjo është një fitore shumë e veçantë për mua”.

Masimo Morati: “Është fitorja e Mourinjos. Bëri zgjedhje të guximshme dhe sot (dje) hodhi në fushë një formacion të përkryer. Skuadra zhvilloi një ndeshje të madhe, mbrojtësit ishin të jashtëzakonshëm. Duhet të vazhdojmë kështu, ka ndeshje të tjera për të luajtur. Mos më kërkoni të zgjedh midis Championsit dhe kampionatit”.

Samuel Eto: “Nuk besoj se një lojtar i vetëm bën diferencën në skuadër. Interi është një ekip i madh dhe nëse luajmë si sot (dje), mund të fitojmë kudo. Dy ditë para ndeshjes trajneri më shpjegoi pozicionin ku do luaja dhe më kërkoi të sakrifikoj. Duke parë rezultatin, them se ia vlejti. Shnajderi? Është një lojtar i madh, më dha dy topa vetëm me portierin, njërin prej të cilëve e shfrytëzova”.

Havier Zaneti: “Shpresojmë që kjo të jetë një shenjë e mirë. Nuk është pak ta mundësh Çelsin dy herë. Kjo ishte e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë. Është një sukses i të gjithëve, i grupit dhe i trajnreit që arriti t’i vërë në zbatim idetë e veta. Shpresojmë të arrijmë deri në finale. Baloteli? Ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Nëse e ka parë këtë ndeshje, duhet të kuptojë se si mund të jetë pjesë e këtij grupi. Kjo është mënyra e vetme. Lënia jashtë? Besoj se është zgjedhje teknike, siç tha edhe trajneri”.

Marko Materaci: “Baloteli? Duhet të na falenderojë që e sollëm deri në çerekfinale. Askush nuk i do të keqen. Ky është grupi i Interit, grup i fortë. Nëse ai bën tifo për të, në rregull. Në të kundërt, dera është e hapur për të gjithë”.

Karlo Ançeloti: “Besoj se Interi e fitoi ndeshjen për shkak të presionit që lojtarët ushtruan në çdo pjesë stë fushës. Ky ishte çelësi i suksesit të tyre. Nuk ishte e lehtë për ne të përballonim presionin e sulmuesve të tyre. Nuk u befasova nga numri i sulmuesve në fushë, por nga loja e tyre, nga presioni në mesfushë që nuk na lejoi të kontrollonim ndeshjen ashtu siç donim. Sot duhet të bënim më mirë. Të gjithëve na vjen keq, lojtarëve, tifozëve. Tashmë duhet të përqëndrohemi në kampionat. Jemi në krye dhe kjo humbje mund të na shërbejë për t’u përmirësuar në të ardhmen”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›