Ndeshja me Suedinë, ja rrugët ku s'qarkullohet
Tiranë- Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka bërë të ditur marrjen e disa masave me rastin e zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe të Suedisë, për eliminatoret e kampionatit botëror, që zhvillohet sot.
“Policia e Tiranës bën me dije qytetarët se, duke filluar nga ora 08.00 e datës 06.09.2008 e deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim që të parandalohet çdo incident, do të mbyllen lokalet përreth stadiumit, si dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në ambientet përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, sheshin “Italia”, sheshit “Nënë Tereza”, si dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri tek Hotel “Sheraton”- thanë burimet policore.
Sipas të njëjtit njoftim në orën 15.00 do të ketë ndalim qarkullimi përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, sheshin “Italia” sheshi “Nënë Tereza”, si dhe përgjatë rrugës “Lekë Dukagjini”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Presidenca deri te Hotel “Sheraton”, “Dervish Hima”, deri në përfundim të aktivitetit.