Apeli liron gjermanin, akuzohej për trafik
Shkodër- Ndryshimi i masës së dënimit ka sjellë lirimin e menjëhershëm të shtetasit gjerman Franc Jozef Mund, i akuzuar për trafikim të mjeteve motorike. Ka qenë gjykata e Apelit në Shkodër, e cila ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm lidhur me deklarimin fajtor të 51- vjeçarit nga Briloni i Gjermanisë, por ka vendosur ndryshimin e masës së dënimit.
Gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar shtetasin gjerman me tre vjet burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai ishte dënuar me dy vjet burgim. Pas apelimit të bërë, ai ka marrë sërish ulje të dënimit duke përfunduar në 20 muaj e tre ditë burgim.
Kjo përkon me periudhën e kaluar në paraburgim nga shtetasi gjerman dhe pas vendimit të djeshëm të gjykatës së apelit në Shkodër, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i tij.
Franc Jozef Mund, 51 vjeç, nga Briloni i Gjermanisë ishte ndaluar nga policia shqiptare më 21 korrik të vitit 2007, pasika hyrë në Shqipëri përmes pikëkalimit kufitar të Hanit të Hotit me një mjet tip “Mercedez Benz” ML 270 CDI ngjyrë gri.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit është zbuluar se mjeti ishte deklaruar i vjedhur në Itali më 26 qershor të vitit 2007. Denoncimi ishte bërë nga një shtetase italiane në Milano, ndërsa dokumentacioni me të cilin ishte shoqëruar makina teksa ka hyrë në Shqipëri ka qene i falsifikuar, pasi nga verifikimet ka rezultuar se targa e automjetit nuk ishte lëshuar nga autoritetet gjermane.
Gjatë procesit Franc Jozef Mund dhe avokati i tij, nuk kanë paraqitur asnjë provë që të vërtetojnë pafajësinë e pretenduar. Gjykata ka proceduar me gjykim të shkurtuar dhe në dhënien e dënimit ka pasur parasysh të dhënat e policisë gjermane sipas të cilave 51- vjeçari nga Briloni njihej si përdorues mallrash të vjedhura dhe faktin se ky shtetas ka hyrë dhe disa here të tjera me automjete në territorin shqiptar përmes pikëkalimeve kufitare të ndryshme dhe ishte larguar pa to përmes aeroportit të Rinasit.