Pranga policit të rremë të tatimeve,shantazh e gjoba bizneseve në Tiranë
TIRANE - "Keni mangësi në dokumentacion dhe për këtë shkak gjobiteni nga policia tatimore. Nëse doni t'i shpëtoni gjobës, më jepni mua një kafe dhe kjo punë ka marrë fund". Këtë mënyrë kishte zgjedhur, Ilir Ceka, 38 vjeç nga Durrësi me banim në kryeqytet, për të "gjobitur biznesmenë të ndryshëm, kryesisht tregtarë të pikave të shumicës, dyqanesh apo që kishin një biznes të vogël në Tiranë. Të paktën shtatë persona, pronarë të dyqaneve të ndryshme, kanë rënë pre e mashtrimit të Ilir Cekës, i cili prezantohej si inspektor i Policisë Tatimore në dyqane të ndryshme, duke iu bërë shantazh se do t'iu sillte policinë Tatimore, për dokumentet që ata kishin të mangëta. Kjo ka bërë që sipas policisë personat të viheshin nën presion dhe të paguanin paratë rast pas rasti. Episodi i fundit ka ndodhur mbrëmjen e të hënës, rreth orës 22:00, kur Ilir Ceka është kapur në flagrancë në kohën kur po merrte gjobën e radhës, prej rreth 150 mijë lekësh të vjetra. Sipas dy të dëmtuarve, babë e bir, pronarë të një pike të shitjes së mallrave me shumicë, Ilir Ceka u ishte prezantuar atyre dy ditë më parë si inspektor i Policisë Tatimore dhe për këtë u ka kërkuar të kontrollonte licencën dhe faturat tatimor sipas periudhave. Sapo i ka kontrolluar ato, polici i rremë, i ka pohuar tregtarit të shumicës se do t'i plotësonte një faturë gjobe dhe se do të niste një procedurë penalizimi ndaj tyre për këto probleme. Pavarësisht se tregtari 63-vjeçar pretendonte se i kishte dokumentet në rregull, sipas policisë është vënë nën presion për të paguar shumën prej 20 mijë lekësh, që më pas është bërë 15 mijë lekë të reja. Pas kallëzimit të bërë në Policinë e Tiranës, blutë kanë organizuar një kurth ndaj mashtruesit, ku ai të kapej duke marrë paratë. Kjo ka ndodhur të hënën në mbrëmje, ndërsa policia i ka vënë prangat në flagrancë, policit të rremë. Pas arrestimit të tij, në Drejtorinë e Tiranës kanë vërshuar së paku 7 persona për të kallëzuar Cekën, për vjedhje me anë të mashtrimit, i cili dyshohet edhe për dy raste të tjerë. Gjatë kontrollit fizik të kryer ndaj tij, policia i gjeti edhe një dokument fals të Policisë Tatimore të Durrësit. Gjatë marrjes në pyetje të tij, Ceka ka pranuar mashtrimin, por s'ka pranuar të japë detaje rreth rasteve të ndryshme. d.b