Bombë artizanale te ish-Blloku, banorët në panik
TIRANE - Shpërthimi i një bombe artizanale ka tronditur mbrëmë zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, duke rikthyer frikën mes banorëve të zonës. Sipas policisë së Tiranës, shpërthimi ka ndodhur në një pallat 5-katësh, përballë poliklinikës së njësisë bashkiake numër 5 të Tiranës. Atentatori, Elton Bendi, 25 vjeç ishte veshur me xhinse blu, bluzë të bardhë me vija të zeza dhe mbante një kapele të kuqe në kokë. Bendi është afruar te hyrja e pallatit, është ngjitur në katin e dytë dhe pasi është afruar në derën e zyrave të një firme ndërtimi e ka futur bombën në një kovë dhe është larguar me vrap. Dy oficerë të Policisë Gjyqësore që ndodheshin rastësisht në vendngjarje, e kanë ndjekur me vrap dhe e ka kapur vetëm pasi kanë nxjerrë pistoletat, duke i thënë se do e vrisnin nëse nuk dorëzohej. Kjo ka bërë që Bendi të trembej dhe të ndalonte, ndërsa ata i kanë vënë prangat dhe e kanë dërguar në komisariat. Ndërkohë, shpërthimi ka tronditur krejt zonën duke thyer xhamat e pallateve rrotull. Dëshmitarë okularë pohojnë, se kanë parë Bendin të zbriste me vrap shkallët e pallatit dhe në momentin, që ka dalë te dera është drejtuar në rrugicë, por aty ka hasur policët gjyqësorë, që i kanë kërkuar të ndalonte duke i drejtuar armët. Policët e kanë urdhëruar të shtrihej përtokë, por Bendi nuk ka pranuar, ndërsa mjaft prej banorëve të zonës, të terrorizuar nga shpërthimi u kanë kërkuar policëve të qëllonin mbi atentatorin për ta vrarë. Por ndërhyrja e policëve e ka shpëtuar atë nga vrasja e mundshme prej turmës së irrituar të banorëve. Ndërkohë, bëhet e ditur se mjaft prej punonjësve dhe klientëve të bizneseve pranë kanë marrë plagë të lehta, ndërsa kanë pësuar trauma. Policia pohon paraprakisht se pas marrjes në pyetje, Bendi ka pretenduar se ka pasur probleme pronësie me firmën e ndërtimit dhe kishte vënë bombën në shenjë hakmarrjeje. Pas arrestimit, 25-vjeçari është dërguar në qelitë e izolimit të Komisariatit nr 2 dhe më pas në Drejtorinë e policisë së kryeqytetit, ku i është nënshtruar seancave të pyetjeve nga hetuesit. Paraprakisht, pohohet se ndaj tij është nisur çështja penale nën akuzën "shkatërrim të pasurisë me eksploziv", ndërsa pritet që të hetohet edhe për "mbajtje të lëndëve eksplozive me pasoja të rënda". fa.ma.