E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, pranga blerësit të mjeteve luksoze

 

POGRADEC - Policia e Pogradecit vuri dje në pranga një banor të fshatit Piskupat të këtij rrethi, i cili dyshohet të jetë implikuar në trafikun e mjeteve motorike nga Çekia. Sipas policisë në pranga ka rënë 36-vjeçari Ardian Toska, i cili dyshohet se ka fshehur tre mjete, që pak ditë më parë i sollën në territorin shqiptar Afrim e Bekim Halili, 39 e 36 vjeç, vëllezër, me kombësi shqiptare dhe shtetësi kroate, banues në Pragë të Çekisë dhe Danilo Radiçeski, 40 vjeç nga Gostivari i Maqedonisë. Të tre këta persona, kanë hyrë në Shqipëri nga Qafë Thana si turistë me mjete luksoze. Duke përfituar nga errësira e natës ata ia kanë dorëzuar mjetet Toskës sipas pazareve, që kishin bërë më parë, ndërsa janë kapur pasi mashtruan, se ua kishin grabitur makinat, për të cilat në fakt kishin marrë 33 mijë euro.                      jo.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›