E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshkimeve deputeteve te PS qe votojne kunder vendimit te grupit

23/11/2011  Kreu i PS-së deklaron qëndrimin e grupit parlamentar për dekretin e Presidentit

Rama: Vota jonë kundër Leskajt në KLSH

Vendimet politike të grupit parlamentar të PS-së duhet të zbatohen në unanimitet nga të gjithë ligjvënësit socialistë. Kjo ishte një nga çështje e diskutuara dje në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit kuvendor socialist. Nisur nga eksperiencat e fundit në seancat parlamentare, ku është votuar në kundërshtim me vendimin politik të PS-së, lidershipi socialist preferoi që t’u bëjë me dije së në rast përsëritjeje do të zbatohet rregullorja e grupit dhe statuti i PS-së.

“Grupi ynë parlamentar nuk mund të votojë pro dekretit të Presidentit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi ky post nuk mund të jetë i shtetit, por thjesht i pushtetit, në rast se dekreti kalon”. Një qëndrim i tillë u bë dje publik nga vetë kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalës së tij përpara ligjvënësve socialistë. Kështu, duke u ndalur në këtë çështje, kreu i PS-së sqaroi arsyet se përse grupi parlamentar i kësaj partie do të votojë kundër kandidaturës së Bujar Leskajt për kreun e Kontrollit të Lartë të Drejtësisë. “Kandidatura e propozuar nuk i përmbush kriteret e vendosura prej nesh në paktin prej 10 pikash që kemi propozuar ‘Për Shqipërinë si gjithë Evropa’. E them këtë me keqardhje, sepse ndërkohë që ka një traditë që Kontrollin e Shtetit nuk e merr qeveria dhe që ne për më tepër kemi deklaruar se nuk duam një kryetar të Kontrollit të Shtetit nga PS, por nga asnjë prej dy partive të mëdha, propozohet një figurë e cila jo vetëm vjen nga partia në pushtet, por nuk përmbush asnjë lloj kushti për t’u konsideruar seriozisht prej nesh”, vuri në dukje Rama. Në vlerësimin e kreut socialist, as më shumë e as më pak, ky është rasti për të vënë dhe një herë në pah vizionin e partisë së drejtuar prej tij për një shtet shqiptar në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive. Ndërkohë, PS, sipas Ramës, kundërshton me forcë nxjerrjen në privatizim të katër hidrocentraleve që së fundmi janë shkëputur edhe nga bilanci i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të krijuar një kompani të re. “Të katër hidrocentralet: Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 e Bistrica 2 kanë fuqi të instaluar prej 76.8 megavat dhe kanë prodhuar së bashku 6.07% të energjisë totale të prodhuar në Shqipëri gjatë vitit 2010. Paratë që qeveria shpreson të arkëtojë nga shitja do të funksionojnë si një borxh i jashtëm me interesa shumë të larta për ekonominë sepse gjatë 20 apo 30 viteve të ardhshme fitimet e realizuara nga tregu shqiptar përmes shfrytëzimit privat të këtyre hidrocentraleve do të dalin jashtë vendit”, bëri me dije Rama, sa i takon kësaj çështje.

Takimi

Kryetari i PS, Edi Rama, zhvilloi dje një takim informal me aleatët. Në takim morën pjesë edhe kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule, ai i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së Paskal Milo, kreu i PSV91 Petro Koçi dhe Preç Zogaj. Mësohet se gjatë këtij takimi, kryetari Rama garantoi aleatët se reforma zgjedhore do të jetë gjithëpërfshirëse. Një takim i tillë erdhi një ditë pas tryezës së përbashkët që organizuan partitë e vogla, në funksion të reformës zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›