E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te perndjekurit kunder ish ushtarakeve

23/11/2011  Simon Miraka shprehet kundër pensioneve suplementare për ish-ushtarakët

“Po paguhen xhelatët që na vranë”

Tufa: Dekomunistizimi i shoqërisë duhet të fillojë që nga tekstet shkollore

Drejtori i Institutit të Integrimit të ish-të përndjekurve politikë, Simon Miraka, shpërthen kundër pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve, duke i quajtur këta të fundit si xhelatët e komunizmit. Duke folur në 65-vjetorin e masakrës së Vloçishtit, ose e njohur ndryshe si masakra e “Kënetës së Maliqit”, e organizuar nga Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, Miraka tha se kërkohet sa më shpejt hartimi i ligjit të ri të lustracionit, dhe se është e turpshme që në gazeta publikohen gati çdo ditë përfitimet e pensioneve për ish-ushtarakët. “Shoh në gazeta se përditë publikohen lista përfitimesh për ish-ushtarakët. Ata që as më shumë e as më pak kanë qenë xhelatët tanë, ata që kanë qenë kolonat mbajtëse të diktaturës. Zoti drejtor i Institutit, do ju kërkoja që sa më shpejt të propozohet ligji për pastërtinë e figurës. Gjithsecili duhet të marrë atë që meriton në këtë vend”, - u shpreh Miraka.

Dekomunistizimi

Drejtori i Institutit për Studimin dhe Dënimin e Krimeve të komunizmit, Agron Tufa, i është rikthyer dhe një herë ngjarjes së 65 viteve më parë. Sipas tij, propaganda komuniste u lëshua ndaj një grushti intelektualësh, shumë prej tyre kishin mbaruar jashtë vendit. “Si sot, 65 vjet më parë, më 22 nëntor 1946, e ashtuquajtura ‘drejtësi e shtetit komunist’, nëpërmjet propagandës, shpifjeve, montimit e falsifikimit të së vërtetës, pasi inskenoi diavoliadën e procesit gjyqësor kundër ‘inxhinierëve sabotatorë amerikanë’, ekzekutoi me dënime me varje, pushkatime e burgime të gjata kastën e intelektualëve me përgatitjen më të shquar teknike e profesionale, nën akuzën e sabotazhit dhe agjenturës së huaj. Inxhinierët e ekzekutuar dhe të dënuar akuzoheshin si agjentë të të ashtuquajturit imperializëm amerikan”, - tha Tufa. Duke bërë një përmbledhje të asaj çka ndodhi kundër atyre që u quajtën “grupi i inxhinierëve amerikanë”, Tufa foli dhe një herë për nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë. “Mënyra se si u veprua me elitën e intelektualëve shqiptarë, në veçanti me rastin e të ashtuquajturve ‘grupi sabotues i inxhinierëve amerikanë’ dhe qëndrimet që vazhdojnë të mbahen ende sot, na vënë përpara një piste morale e meditative mbi qëndrimin e dykuptimtë të historianëve shqiptarë, të cilët, duke mos e zbardhur krimin lejojnë të vazhdojë po ai perceptim, me të cilin i pati damkosur propaganda komuniste. E ritheksoj edhe një herë se forma më e kamufluar e mbrojtjes së trashëgimisë komuniste është mbijetesa e saj nëpërmjet heshtjes. Dekomunistizimi, para së gjithash i teksteve shkollore, jo nëpërmjet mospërmendjes, por të zbardhjes, analizave, dokumentimit dhe krahasimeve, do të shënonte hapin e parë të rehabilitimit të këtyre martirëve, si hap i parë i kapërcimit të gënjeshtrës, intrigës e shpifjes, në kushtet kur familjarët e viktimave ende nuk kanë gjetur eshtrat e të ekzekutuarve”, - përfundoi Tufa.

Ligji për ushtarakët

Në bazë të ligjit, ish-ushtarakët përfitojnë pensione suplementare dhe të parakohshme, sipas viteve të punës dhe gradës. Ky ligj parashikon deri në tri pensione minimale për gradën më të ulët, atë të kapterit kur ka mbi 20 vjet punë, dhe më pas sipas gradave pensioni suplementar mund të shkojë deri sa një rrogë e lartë e administratës shtetërore. Krahasuar me pensionet aktuale në Shqipëri, duhet thënë se janë klasa më e privilegjuar. Gjithsesi, dhe për këtë masë shpërblimi ish-ushtarakët kanë pretendimet e tyre. Sipas tyre, zbatimi i ligjit nuk përmbush të gjitha kërkesat e tij.

Ish-të përndjekurit

Ligji për ish-të përndjekurit është miratuar në vitin 2007, dhe pritet që prej tij të përfitojnë rreth 24 mijë persona. Për të pushkatuarit me ose pa gjyq, masa e dëmshpërblimit është pesë mijë lekë për ditë pune, deri në tetë vjet, ndërsa për të dënuarit me burg 2 mijë lekë për ditë pune, sipas viteve që kanë kryer. Asnjë ish-i përndjekur s’mund të përfitojë në këstin e parë më. Ndërkohë me një udhëzim të qeverisë, Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë po u jep prioritet ish-të përndjekurve, të cilët kanë kaluar moshën 75 vjeç. Këta të fundit përfitojnë të gjithë masën e dëmshpërblimit porsa ai miratohet nga Ministria e Drejtësisë dhe më pas ajo e Financave. Fatura financiare e këtij procesi mendohet të shkojë në 800 milionë dollarë dhe do të ndahet në disa faza, ku natyrisht më përparësi do kenë ata ish- të përndjekur që janë dhe në moshë më të madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›