E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndëshkohen subjektet për punën në të zezë

Inspektorati Kontrolle për punëtorët “ilegalë” dhe shkelje të Kodit të Punës

Inspektorati Shtetëror i Punës këtë vit ka ushtruar me dhjetëra kontrolle te bizneset, për të verifikuar ligjshmërinë e punonjësve të tyre. Sipas inspektorëve të institucionit në fjalë, nga inspektimet e kryera mbi subjektet fizike dhe juridike janë konstatuar mbi 100 punonjës informalë. Për të gjitha rastet e kapura është vepruar në bazë të ligjit, duke arritur deri në ndëshkimin e drejtuesve të atyre bizneseve të cilave u janë kapur punëtorë “në të zezë”.

Dhjetëra kontrolle janë ushtruar nga Inspektorati Shtetëror i Punës për goditjen e informalitetit në aktivitetet e Qarkut të Fierit. Detyrimi me gjoba dhe sanksione të tilla deri në futjen me detyrim të punonjësve në skemën e sigurimeve janë disa nga masat e marra prej Inspektoratit të Punës.
Në të njëjtën kohë, inspektorë të Punës në Fier shprehen se edhe presioni i vazhdueshëm i këtij inspektorati e ka reduktuar nga muaji në muaj këtë fenomen në Qarkun e Fierit. Por, nuk hidhet poshtë edhe mendimi se bizneset kanë rritur “sigurinë” e fshehjes së punonjësve “ilegalë”.
“Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, nga drejtoria e qarkut janë kryer 735 inspektime. Nga këto, 492 në subjekte juridike dhe 243 në subjekte fizike. Janë konstatuar 6807 punëmarrës, nga të cilët 4419 janë meshkuj dhe 1815 janë femra. Nga kontrollet e planifikuara janë konstatuar mbi 100 punonjës ‘në të zezë’. Për të gjithë është mbajtur procesverbal”, shprehen për “Shqip” nga Zyra e Inspektoratit Shtetëror të Punës, Fier.

Po burimet zyrtare të Inspektoratit të Punës shprehen se për shkeljet e gjetura janë vendosur tetë gjoba, me një vlerë prej 4 milionë lekësh. Këto gjoba janë vendosur për shkelje të dispozitave të Kodit të Punës dhe kushteve e higjienës në vendin e punës. Në të njëjtën kohë, sanksione ky inspektorat ka vendosur edhe për mungesën e kushteve në punë, mungesë që ka shënuar dy aksidente. “Janë konstatuar dy aksidente në punë. Një aksident me pasojë vdekjen e punëmarrësit dhe një aksident tjetër i lehtë. Të dyja këto raste janë shënuar në sektorin shtetëror të naftës. Pra është kompania ‘Albpetrol’ ajo që është gjobitur” , deklarojnë për gazetën burime nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›