E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e BE-së, sanksione ndaj Iranit

Bruksel


Bashkimi Europian ka adaptuar zyrtarisht sanksione të reja kundër Iranit lidhur me programin e tij bërthamor. Sanksionet kanë si qëllim ta nxisin Iranin që të ndalë programin e pasurimit të uraniumit. Ministrat e Jashtëm të Europës ranë dakord në Bruksel për të vendosur sanksione më të ashpra ndaj Iranit. Ata do të kenë si objektiv sektorin iranian të gazit dhe naftës, që shihet si shtylla e ekonomisë iraniane. Nga ana tjetër, do të shtohet vigjilenca ndaj bankave iraniane, do të ketë kufizime mbi kargot ajrore, si edhe do të ketë një listë të zezë për individë e kompani iraniane. Një zyrtar europian ka thënë se në një farë mënyre këto do të jenë sanksionet më të gjera të vendosura nga BE-ja ndaj një vendi. Masat kanë rëndësi që ta bëjnë Iranin të rifillojë bisedimet e pezulluara për programin e pasurimit të uraniumit. Presidenti iranian e paralajmëroi BE-në se do të kishte një reagim të shpejtë, por, nga ana tjetër, ka tregues prej Teheranit për bisedime të reja në shtator.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›