E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihet i pafajshëm

Besart Berisha beson se nuk do të dënohet, për gjestin e keq që e bëri pas ndeshjes me Sydneyn, kur e ftoi futbollistin kundërshtar, Pascal Bosschaart në tunelin e Suncorp Stadium, që t’i qërojnë hesapet. Futbollisti kosovar thotë se pati arsye të forta, për ta bërë një gjë të tillë. Në anën tjetër, Bosschaart betohet se nuk e ka fyer asnjëherë 26-vjeçarin nga Prishtina.

Besart Berisha është optimist se nuk do të dënohet, pas gjestit të tij të pahijshëm pas ndeshjes, kur e ftoi futbollistin kundërshtar, Pascal Bosschaart në tunelin e Suncorp Stadium, që t’i qërojnë hesapet, në fitoren e Brisbane Roar me rezultat 2:1 ndaj Sydneyt.

Paneli i pavarur i A-League do të vendosë sot nëse do ta sanksionojë futbollistin shqiptar për këtë gjest. Skena kaotike ndodhi pas përfundimit të ndeshjes, kur Berisha e hoqi fanellën, e kapi për dore Bosschaartin, para se t’i thoshte atij që të shkonin së bashku në tunel, për t’u përleshur me futbollistin holandez.

Mirëpo, me ndërhyrjen e lojtarëve të tjerë, gjithçka është kthyer në normalitet. Sidoqoftë, bëhet e ditur se 26-vjeçari është ende i mllefosur me Bosschaartin, për komentet që i kishte dhënë ky i fundit në drejtim të Berishës, kur Sydney e kishte mposhtur Brisbanen 2:0 në Kogarah Oval, muajin e kaluar.

“Natyrisht, unë isha jashtë kontrollit dhe të gjithë kanë mundur ta shihnin se unë isha i çrregulluar. Nuk dëshiroj të komentoj, sepse çfarëdo që them, nuk do të ishte mirë. Nuk jam i brengosur nëse do më suspendojnë, sepse ata do ta shohin se ishte një lojë ngazëlluese, lojtarët po bëheshin të frustruar dhe nuk kishte dyluftime. Shpresoj që ta respektojnë këtë dhe në fund të mos ndodh asgjë”, deklaroi futbollisti shqiptar për ‘The Courier-Mail’

Ai e ka komentuar edhe ndeshjen ndaj Sydneyt, ku shënoi pas një kohe të gjatë. “Tash kam besim më të madh. Mirëpo, nëse nuk shënoni gjatë tetë ndeshjeve rresht, natyrisht se sulmuesi ka nevojë për disa gola”, shtoi ish-futbollisti i Arminia Bielefeld.

Berisha ishte njëri nga tre lojtarët e Brisbane, së bashku me Erik Paartalu e Ivan Franjic, të cilët refuzuan t’ia zgjasnin dorën Bosschaartit, para ndeshjes. Bosschaart betohet se nuk e ka fyer Berishën në familje më parë, e as fundjavën që shkoi.

“Dje Besarti thoshte se e kam ngacmuar në familje, por unë betohem në Zot se kurrë nuk kam thënë asgjë për familjen e tij. Prisja se do ma zgjasnin dorën para fillimit të ndeshjes, por këtë nuk e bënë tre lojtarë kundërshtarë. Nuk po them se dua të bëhem miq me ta, por të paktën kërkoj respekt. Ndoshta Berisha ankohet se e kam fyer, që ta mbulojë atë që e kishte bërë në fund të ndeshjes, gjest i cili nuk ishte i mirë”, tha futbollisti holandez.

Berisha mund të dënohet për gjestin që bëri. Gjithçka do të vendoset në orët e ardhshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›