E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE zgjidh ankesat e konsumatoreve

Gjatë vitit 2011 Enti Rregullator i Energjisë ka analizuar rreth 1200 ankesa të qytetarëve lidhur me faturimin apo fuqizimin me energji elektrike, ku kanë marrë zgjidhje shumica e tyre. Në raportin vjetor të ERE, për vitin e kaluar ankesat janë trefishuar në krahasim me 2010-ën.
Problematikat e vërejtura nga analizimi i ankesave i referohen mbifaturimit, mosrespektimit të afatit të leximit të aparateve matës apo gabimeve dhe vonesave në hedhjen e të dhënave që rrjedhin nga sistemi elektronik i faturimit. Referuar raportit, ankesat janë trajtuar nga ERE dhe janë dhënë udhëzimet përkatëse duke caktuar afate për zgjidhjen e tyre. Pas dhënies së udhëzimeve, ERE thotë në raport se për pjesën më të madhe të ankesave është pranuar gabimi dhe është bërë sistemimi përfundimtar i gjendjes reale të leximit të matësit. Në raport thuhet gjithashtu se, sipas kompanisë CEZ, këto probleme janë shkaktuar nga instalimi i sistemit të faturimit.
Një nga risite që ERE vlerëson pozitivisht është hapja e qendrave të kujdesit ndaj klientit. Sipas ERE-s, është shënuar një hap para me hapjen e 42 qendrave të Kujdesit ndaj Klientit nga CEZ Shpërndarje”, që trajtojnë ankesat dhe problemet e konsumatorëve. Ndërkohë, pak ditë më parë, kompania CEZ Shpërndarje ka ngritur grupin e trajnimit të lexuesve të matësave elektrikë. Bashkë me procesin e trajnimit, kjo kompani ka njoftuar zëvëndësimin e punonjësve problematikë për të përmirësuar shërbimin e faturimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›