Administrativja, PS: Gjyq me një gjyqtar, PD: Duhen tre

Komisioni i Ligjeve në seancën e djeshme
Miratohen 4 nene. Xhafaj: Një gjyqtar e merr më shpejt vendimin se tre.
Alibeaj: Kur janë 3 gjyqtarë, më e vështirë për tu manipuluar.
Komisioni i Ligjeve arriti dje të miratojë vetëm katër nene të Gjykatës Administrative, duke e shtyrë për të hënën diskutimin, me shpresën se grupet e punës do të bien dakord paraprakisht. Në sallën e re të Komisionit, konsensusi u arrit për vetëm pak dispozita të këtij ligji, ndërkohë që janë edhe dy pika për të cilat PD-ja dhe PS-ja nuk ndajnë të njëjtin qëndrim. Pika e parë ka të bëjë me numrin e gjyqtarëve që do të gjykojnë në Gjykatën e Shkallës së Parë. Sipas nënkryetarit socialist të Komisionit, Fatmir Xhafaj, ka disa arsye përse këto çështje duhet të drejtohen me një gjyqtar. E para, sepse vendimi do të lidhet me emrin e tij personal; e dyta, sepse prishja e vendimit në dy shkallët e tjera është element që ndikon në karrierën e tij; e treta, edhe në funksion të përgjegjshmërisë së tij në raport me çështjen. Po marr vetëm rastin kur njëri nga gjyqtarët e treshes do të mungojë. Do të detyrohet të shtyhet çështja. Kurse kur është vetëm një gjyqtar, ai është në gjendje shumë të mirë ta përfundojë. Nga ana e saj maxhoranca ka një argument tjetër lidhur me këtë çështje. Meraku më i madh është besueshmëria dhe cilësia e gjykimit apo zhdërvjelltësia e administrimit të gjykatave. Me futjen e pëlqimit të palëve, tu japësh të drejtë edhe palëve të marrin pjesë në mënyrë të tërthortë në administrimin e madh unë besoj se është gjë e këshillueshme. Me tre gjyqtarë vështirësia për të manipuluar trupin gjykues është më e madhe, po jam dakord që me një gjyqtar që shtohet pazari. Me një gjyqtar ndodh lehtësisht, thotë Alibeaj. Pika tjetër ku palët janë larg me qëndrimet e tyre është marrëveshja e shtetit me kompanitë private. Sipas Shega Ligorit, janë kontrata që sjellin pasoja te palët sepse kemi të bëjmë me prokurime publike. Ti këto fonde nuk mund ti bllokosh për tre vjet, as për dy vjet, sa gjykohen sot mosmarrëveshjet e zakonshme. Këto duhet të gjykohen nga këto lloj gjykatash, pra kemi specializim më të madh dhe shpejtësi më të madhe në gjykimin e çështjeve. Ndërsa Alibeaj, në emër të maxhorancës, theksoi se koncesionet, prokurimet, furnizimet e mallrave, ku njëra palë është shteti, nuk janë kontrata administrative. Sipas tij, shteti aty nuk del si figurë e së drejtës publike, por del si figurë e së drejtës private.
Ligji
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit u ra dakord që të shtyhet për në fund diskutimi i dy neneve, 4 dhe 5, të draftit të qeverisë që ka të bëjë me organizimin, funksionimin, përcaktimin e gjykatave dhe i numrit të gjyqtarëve, si dhe dispozitës që ka të bëjë me mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të gjykatave administrative. Relatori i çështjes, Armando Subashi, pritet të paraqesë javën tjetër amendamentet për këto dy nene.
Debati në Komision
Armando Subashi: Nëse do parashikojmë gjykimin me një gjyqtar në Shkallë të Parë, kjo bëhet për ti bërë më eficiente këto gjykata, për të rritur shpejtësinë në gjykimin e këtyre çështjeve. Këta gjyqtarë kanë vetëm një detyrë themelore, që nga pikëpamja procedurale të mos gabojnë. Edhe fakti se tre gjyqtarë janë më të përgjegjshëm se sa një, mua nuk më bind kjo gjë, sepse shpeshherë ndodh e kundërta, që gjyqtarët fshihen në vendimmarrjen e njëri-tjetrit dhe i përdorin si justifikime vendimmarrjet e tyre.
Marsida Xhaferllari: Ne jemi me variantin e parë të propozuar. Le të shtohet pëlqimi i palëve si kriter për të vendosur përbërjen e trupit gjykues. Me projektligjin që ju paraqitet bëhet një ecje përpara që shumica e çështjeve të gjykohet nga një gjyqtar. Ne jemi të opinionit që ka raste që përbërja e trupit gjykues me tre gjyqtarë ofron cilësi dhe efektivitet në gjykim, jo vetëm në vendimin përfundimtar, por edhe në disiplinimin e procesit me anë të vendimeve të ndërmjetme. Nuk jemi ende gati që të themi që të gjitha çështjet administrative të gjykohen nga një trupë gjykuese e përbërë nga një gjyqtar.
Fatmir Xhafaj: Argumentet që dha zonja Xhaferllari nuk janë bindëse. Unë nuk shoh ndryshim në cilësi faktin që do ta gjykojnë tre apo një gjyqtar. Në të kundërt, një gjyqtar do të jetë shumë më i përgjegjshëm për disa arsye. E para, sepse vendimi do të lidhet me emrin e tij personal; e dyta, sepse prishja e vendimit në dy shkallët e tjera është element që ndikon në karrierën e tij; e treta, edhe në funksion të përgjegjshmërisë së tij në raport me çështjen. Në favor të kësaj ka edhe një argument tjetër, çështja e shpejtësisë. Përfytyroni në versionin që ka ardhur, pavarësisht me pëlqim apo me marrje mendimi, siç thatë ju, në këtë mënyrë siç është formuluar kjo dispozitë, do të kemi shumë raste zvarritjesh të pafundme çështjesh. Po marr vetëm rastin kur njëri nga gjyqtarët e treshes do të mungojë. Do të detyrohet të shtyhet çështja. Kurse kur është vetëm një gjyqtar, ai është në gjendje shumë të mirë ta përfundojë.
Marsida Xhaferllari: Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe ka një procedurë tjetër. Për këtë shkak rregullohet me një ligj të veçantë. Procedurat e emërimit të gjyqtarëve janë procedura të veçanta, nuk janë në formatin e zakonshëm.
Enkelejd Alibeaj: Unë bie dakord me atë që ka thënë relatori, me pëlqimin e palëve. Një sistem gjyqësor vuan ose nga besueshmëria, ose nga zhdërvjelltësia e procesit. Meraku më i madh është besueshmëria dhe cilësia e gjykimit apo zhdërvjelltësia e administrimit të gjykatave. Me futjen e pëlqimit të palëve, tu japësh të drejtë edhe palëve të marrin pjesë në mënyrë të tërthortë në administrimin e madh, unë besoj se është gjë e këshillueshme. Me tre gjyqtarë vështirësia për të manipuluar trupin gjykues është më e madhe, po jam dakord që shtohet pazari. Me një gjyqtar ndodh lehtësisht.
ADI SHKEMBI