E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, nis operacioni fshesa për klandestinët

ATHINE- Paraditen e sotme ka filluar operacioni për spastrimin e qendrës së Athinës nga emigrantët klandestinë që kanë ardhur kryesisht nga vendet e Azise dhe Afrikës.

Emigrantët pa dokumente përcillen në rajonet e policisë, që sipas planizimit të ministrisë së mbrojtjes së qytetarit janë parapërgatitur për këtë qëllim.

Gjithë forcat e policisë greke ndodhen në formacion luftimi për menaxhimin e një problemi shumë të mprehtë, që sipas deklaratës së ministrit të mbrojtjes së qytetarit, Mihalis Hrysohoidis, përbën tashmë një bombë në themelet e shoqërisë.

Duke folur për këtë çështje të enjten paradite, ministri tha se është hipokrite dhe çnjerëzore të flasim për shfrytëzim dhe kriminalitet të emigrantëve në qendër të Athinës, dhe jemi të gjithë përgjegjës për këtë bombë higjenike nga grumbullimi kaq shumë njerëzve. Ai vlerësoi se numri i personave që në këto momente jetojnë në mënyrë të paligjshme në Athinë, është rreth një milion vetë.

Duke iu referuar reagimeve kundër ndërtimit të qendrave të pritjes së klandestinëve, Hrysohoidis theksoi se çfarë është më e rrezikshme, të qarkullojnë rrugëve, apo të ruhen në kushte njerëzore në pritje të kthimit të tyre në atdhe?.

Hrysohoidis u zotua se brenda një kohe të shkurtër do të lergohen nga qendra gjithë pikat e e paligjshme të shitësve ambulantë. Ai pranoi se Greqisë po i bëhet presion që të dalë nga marrëveshja e Shengenit, por kjo, siç tha, do të ishte kthim në vitet 1970 dhe se këtë gjë nuk e meriton vendi e aq më pak Athina. (amna)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›