E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi ekonomik per Europen Juglindore i pranishem Meta

Në Uashington po zhvillohet Forumi Ekonomik për vendet e Europës Juglindore  organizuar nga qendra e marrëdhënieve Transatlantike SAIS, pranë Universitetit Johns Hopkins. Në ditën e parë të këtij forumi është folur për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit, si dhe qasjen e tyre në tregun Europian.  Problemet me të cilat ndeshet rajoni, si papunësia, kriza europiane dhe pasqyrimi i saj në rajon, ishin disa prej temave të cilat trajtohen në këtë forum.
Situata ekonomike në Europën Juglindore, problemet të cilat e shoqërojnë këtë rajon, dhe mundësia e tërheqjes së investimeve të huaja, janë ndër temat më kryesore të forumit. Ndër të tjera në ditën e parë të këtij takimi është folur për papunësinë, vështirësitë në sektorin e ndërtimit problemet me regjistrimin e pronave, zbatimin e kontratave si dhe situata fiskale të brishtë të rajonit.
Senatorja demokrate Jeanne Shaheen, anëtare e Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë në  Kongresin amerikan, ka theksuar se 20 vjet pas luftës në Ballkan sot rajoni ka bërë përparime të ndjeshme.
“Kanë kaluar 30 vjet nga shpërbërja e ish Jugosllavia, 12 vjet nga bombardimet e NATO-s në Beograd,  por  sot vendet e Europës Juglindore po bëjnë hapa të mëdha drejt integrimit europian”, u shpreh ajo.
Të pranishmit theksuan se bashkëpunimi rajonal është një domosdoshmëri për ecjen përpara të gjithë rajonit, duke e parë njëri-tjetrin si partnerë. Ndihmës sekretarja e përgjithshme e NATOS për diplomacinë publike, Kolinda Graber ka folur për rëndësinë e këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit për zhvillimin ekonomik.
“Ndonjëherë ne përqëndrohemi në aspektet negative, të cilat tërheqin vëmendjen e medias, të publikut, por bashkëpunimi pozitiv, tregëtia e përditshme, kontakti i njerëzve, janë shumë më të rëndësishme për rrugën ku duhet të eci rajoni. Duke hedhur vështrimin tek  bashkëpunini ekonomik ajo që të gjitha vendet e rajonit duhet të bëjnë, është jo vetëm të heqin pengesat për lëvizjen ekonomike, por të mendojnë se si të nxitet zhvillimi i krejt rajonit të Europës Juglindore, se si të promovojnë njëri-tjetrin në aspektin ekonomik dhe se si të bëhen pjesë jo vetëm e tregut të rajonit, por edhe pjesë e tregut global”, vuri në dukje Graber.
Në  forum marrin pjesë edhe ish- zv/kryeministri i Shqipërisë Ilir Meta dhe ministri i Infrastrukturës në Kosovë  Fehmi Mujota. 
“Qeveria ka krijuar një ambjent miqësor ndaj biznesit veçanërisht ka lehtësuar barrëm fiskale dhe burokratike për thithjen e investimeve.”, u shpreh Meta.  Duke bërë këtë ekspoze të situatës ekonomike në vendin tonë kryetari i LSI-së, Ilir Meta gjatë fjalës së tij mbajtur në Forumin Ekonomik të Evropës Juglindore në Johns Hopkins University, të organizuar nga Qendra për Marrëdhëniet Transatlantike në Uashington DC ka ftuar sipërmarrësit e huaj të investojnë në vendin tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›