E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma e shpejtë në Kumanovë, refuzon t’u ndihmojë grevistëve

Nga Express më 26 shtator 2011 në ora 18:00

Një skandal i paparë ka ndodhur të në ditën e tetë të grevës së urisë, e cila po vazhdon në zyrat e Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kumanovë (FNDNJ), ku janë ngujuar të afërm të të dënuarve të Brodecit, Manastirit, Shkupit e Kumanovës, duke kërkuar drejtësi nga organet shtetërore.

Grevistit Amdi Klenja, prindi i dy djemve të dënuarve të pafajshëm nga Manastiri, iu është përkeqësuar gjendja dhe ka rënë pa vetëdije. Nga grevistët tjerë menjëherë është thirrur Ndihma e Shpejtë e Spitalit të Kumanovës, e cila ka refuzuar t’i jep ndihmën e parë. Mjeku kujdestar u ka thënë se “ju merreni me punë politike, dhe ne nuk kemi punë me ju!”.
Për ta ndihmuar grevistin, më pas është thirrur një mjek privat, i cili i ka dhënë ndihmën e parë.

FNDNJ reagon ashpër ndaj kësaj sjelljeje antinjerëzore të mjekëve, të cilët pa kurrfarë etike shkelin betimin e Hipokratit. Njëherit kërkon që të ndërmerren masa të menjëhershme ndaj mjekëve dhe përgjegjësve të Ndihmës së Shpejtë në Kumanovë, të cilët për së dyti herë refuzojnë t’u ndihmojnë grevistëve.

Grevistët janë të vendosur që deri në fund të shkojnë me vetësakrificën e tyre, ndërsa nëse nuk ndërmerret asgjë sa më shpejtë, parashihet që protesta të organizohen në mbarë vendin, kurse greva e urisë të vazhdojë në zyrat e partisë në pushtet, Gjyqit, Kuvendit Republikan ose Qeverisë.

ICHR-IGFM-FNDNJ u bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që sa më shpejtë të ndërmarrin hapa konkret në drejtim lirimit të këtyre të burgosurve të dënuar pa kurrfarë dëshmi relevante, ose më së paku të kthehen këto lëndë në rigjykim.

Greva e urisë do të vazhdojë deri në realizmin e qëllimeve të vëna, e ajo është dalja e drejtësisë në shesh.

Ndryshe, gjendje e rëndë shëndetësore raportohet edhe tek të burgosurit shqiptarë në burgjet e Shtipit, Prilepit dhe Idrizovës, për fatin e të cilëve nuk është duke u interesuar askush. /kp/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›