E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike edhe me ushqime apo veshje

15/02/2011  Komisioni i Ekonomisë miraton draftin e ri. Kostoja 194 milionë lekë

Përkrahja ekonomike e shtetit për një sërë kategorish të personave në nevojë nuk do të bëhet vetëm me të holla, por edhe me ushqime apo veshje. Me anën e një drafti të ri janë përcaktuar ndryshimet ligjore për zgjerimin e listave të përkrahjes sociale dhe ekonomike. Në Komisionin e Ekonomisë u prezantua nga Ministria e Punës drafti i ri ligjor që synon përfshirjen edhe të jetimëve, fëmijëve të varfër, të sëmurëve dhe kategorive të tjera në ndihmën financiare me para, ose me mënyra të tjera. Sipas përllogaritjeve, ndryshimet do të kenë një kosto financiare prej 194 milionë lekësh. Kompensimi do të bëhet edhe me mallra, si ushqime apo veshje. “Për një familje që pavarësisht merr ndihmë ekonomike, mendojmë të fusim edhe përfitimin me veshmbathje apo ushqime”, - tha Denada Seferi, Drejtore e Politikave Sociale në MPÇS. Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, propozoi rikthimin e tollonave si një standard që aplikohet edhe në vende të zhvilluara si ato të BE-së dhe në SHBA, kjo për shkak se rritjen e çmimeve e ndjejnë më tepër këto shtresa sociale. “Për kategorinë e të varfërve një përfitim i tillë do të ishte domethënës”, - tha ai. Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike do të bazohen në një sistem vlerësimi të bazuar në nevoja, duke pasur parasysh përbërjen e familjes, burimet e të ardhurave si përfitimet e mbrojtjes sociale. “Kemi të bëjmë me një formulë të re, e cila do t’i japë peshën specifike të gjitha kritereve mbi të cilat do të bëhet përllogaritja e të ardhurave të familjes, e cila do të marr pjesë në skemën e ndihmës ekonomike”, - u shpreh drejtoresha e MPÇS-së. Përcaktimi i familjeve në nevojë pritet të mos bëhet më nga këshillat vendorë, por vetëm nga qeveria. Ligji i ri i ndihmës ekonomike fut për herë të parë edhe disa kushte për familjet në nevojë, duke i nxitur ato të shkollojnë fëmijët. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës, familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike kanë 190 mijë fëmijë në moshë shkolle, por më pak se gjysma e tyre ndjek arsimin. Kosto financiare

Gjithë këto ndryshime të ligjit janë përllogaritur të kenë një kosto financiare prej 194 milionë lekësh. Aktualisht në të gjithë vendin trajtohen me ndihmë ekonomike rreth 85 mijë familje në nevojë. Ulja e nivelit të varfërisë dhe shmangia e abuzimeve në skemën e përfituesve të ndihmës ekonomike, është qëllimi i ndryshimeve që do t’i bëhen ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, ndryshime që u miratuan në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.

Ndryshimet ligjore

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ndryshimet ligjore parashikojnë përfshirjen e grupeve të reja përfituese të ndihmës, kushtëzimin e të drejtës së përfitimit të ndihmës ekonomike me punë dhe shërbime, si dhe përcaktimin e kritereve që bazohen në një sistem vlerësimi të bazuar në nevoja. Në draftin e ri parashikohet gjithashtu që përcaktimi i familjeve në nevojë të mos bëhet më nga këshillat vendorë, por vetëm nga qeveria.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›