E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, gati formulari A1, plotësimi deri më 10 mars

SHKRUAN: Jonida Tashi 15-02-2011 11:34

Formulari A1, që do të plotësohet nga të gjithë maturantët për të marrë pjesë në provimet e Maturës, pavarësisht nëse duan ose jo të vijojnë studimet e larta, është gati dhe tashmë pritet vetëm që ai të mbërrijë në duart e të rinjve. Sipas afateve të vendosura në rregulloren e Maturës 2011, Ministria e Arsimit miraton deri në datë 15 shkurt formularin A1 dhe A1Z. Ky i fundit, formulari A1Z përmban të dhënat e maturantëve dhe të shtetasve shqiptarë, që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2010 brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, brenda kësaj date, MASH duhet të miratojë tabelën e indeksit të profilit/degëve të shkollave të mesme; koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuara nga universitetet publike; udhëzuesin e plotësimit të formularit A1, A1Z. Burime nga MASH bëjnë të ditur se formulari A1 është gati dhe ai nuk do të pësojë ndryshime nga ai i vitit të kaluar. Por, megjithëse ky formular është gati, ai do të dërgohet nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) deri më 19 shkurt, në Komisionet e Maturës Shtetërore (KMSH) të drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore (DAR/ZA), për të kaluar më pas në shkolla, prej ku do të tërhiqet për t’u plotësuar nga maturantët. Sipas afateve të vendosura nga MASH, çdo maturant plotëson dhe dorëzon formularin A1/A1Z në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) pranë shkollës ku ai caktohet për të dhënë provimet, brenda datës 10 mars. Ndërkaq, këtë vit, provimet e Maturës do të korrigjohen në gjashtë qendra vlerësimi, nga katër që kanë qenë vitet e mëparshme. Burime zyrtare nga MASH bëjnë të ditur se këtë vit, për korrigjimin e provimeve të Maturës do të shtohen edhe dy qendra të reja vlerësimi, një në Tiranë dhe një tjetër që do të hapet në Korçë. Lidhur me këtë proces, specialistët e MASH-it sqarojnë se këtë vit nuk do të lejohet asnjë shkelje, gjatë administrimit të provimeve, në të kundërt, do të ketë masa penale ndaj mësuesve. “Shmangia e tyre ka të bëjë me një administrim shumë më të mirë këtë vit dhe po të shohësh penalitetet, ato përcaktohen nga Kodi i Punës dhe ai Penal. Kush prek rezultatin e nxënësve, prek barazinë e shtetasve para konkurrimit, që është e drejtë kushtetuese”, - pohon Ndriçim Mehmeti, përgjegjës i sektorit të vlerësimit cilësor në MASH. Përsa i përket totalit të pikëve që do të kenë provimet, specialistët e arsimit shpjegojnë se provimet me detyrim do të vlerësohen me 40 pikë, ndërsa ato me zgjedhje, për shkak të vështirësisë më të madhe me 50 pikë. Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, maturantët nuk do të mund të përfundojnë shkollën e mesme, pa marrë edhe provimet me zgjedhje. Në fund, ata do të pajisen, me diplomën e Maturës. Por, edhe më e vështirë bëhet kjo situatë për maturantët e shkollave profesionale, të cilët kanë një ngarkesë mësimore më të madhe se maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme. Kjo për faktin se ata duhet t’i nështrohen 5 provimeve, në fund të Maturës, nga katër që ka Matura 2011. Ndërkohë që rreziku për të mos përfunduar shkollën është edhe më i madh për maturantët e shkollave profesionale, pasi, në rast se ata humbasin provimin e praktikës, nuk hyjnë në katër të tjerat, shtuar këtu fatin që sezoni i vjeshtës, nuk do të jetë më këtë vit. Drejtoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike tregon se përgatitjet kanë filluar, ndërkohë që maturantët po përgatiten edhe për lëndët me zgjedhje që do të testohen. “Nxënësi që nuk merr provimin e teorisë dhe praktikës profesionale, nuk futet në provimet e Maturës Shtetërore. Duke qenë pjesë e arsimit profesional, nuk ka kuptim që ai të futet në një provim mature, kur nuk e ka marr këtë provim që tregon aftësitë e tij, si teorike, ashtu dhe profesionale”, - pohon drejtoresha e Shkollës Ekonomike, Merita Zylaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›