E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma për Greqinë, përcaktohet shuma për secilën nga vendet



Huaja prej 30 miliard eurosh që do t'i jepet Greqisë prej vendeve të eurozonës do të plotësohet prej anëtarëve të monedhës së përbashkët në përputhje me kapitalin që ato kanë në Bankën Qëndrore Europiane. Kjo është marrëveshja e arritur mes 15 vendeve të Eurozonës. Kështu sipas kësaj formule Gjermania, e cila është edhe kontribuesja më e madhe në Bankën Qendrore Europiane, do të akordojë në formë huazimi shumën prej 8.4 miliard eurosh për Greqinë, e ndjekur nga Franca me 6 miliard euro, Italia me 5.4 miliard euro, Spanja me 3.67 miliard euro, Holanda 1.8 miliardë, Belgjika me afërsisht 1 miliard euro, Portugalia 775 milion euro dhe Irlanda me 450 milion euro. Ndërsa me shifra akoma më të ulta parashikohen të kontribuojnë Austria, Finlanda, Malta, Qipro, Sllovakia dhe Luksemburgu.
Kredia e ofruar Athinës do të jetë e zbutur, me një normë interesi rreth 5 përqind dhe do të ofrohet vetëm në momentin kur Greqia ta kërkojë atë.
16 vendet e eurozonës, të marra bashkarisht, zotërojnë rreth 70 përqind të kapitalit të Bankës Qendrore Europiane. Plani i ndihmës për Greqinë u hartua për të qenë gati në rast se shteti Helen do të falimentonte. Vendimet u morën në një konferencë videotelefonike të ministrave të financës të Eurozonës me Komisionin Euvropian dhe Bankën Qendrore Europiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›