Kanadaja transferon në SHBA uranium të pasuruar
Kanadaja ka vendosur të transferojë në SHBA një sasi të konsiderueshme uraniumi të pasuruar, në mënyrë që të shmangë rrezikun e vjedhjes së ketij elementi. SHBA është furnizuesi i Kanadasë në këtë drejtim. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri kanadez Stephen Harper, gjatë konferencës mbi sigurinë bërthamore që po mbahet në Uashington.
Uraniumi, kur të jetë transferuar në Shtetet e Bashkuara, do të përpunohet në mënyrë që të parandalohet përdorimi i tij për qëllime luftarake. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nënshkruajnë sot marrëveshjen për reduktimin e arsenalit të armatimit me shkallë të plutoniumit. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, dhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, do ta nënshkruajnë protokolin në ditën e dytë të samitit për çështjet nukleare. Në ditën e parë të samitit, Ukraina shpalli se do të lirohet nga arsenali i uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë, deri në vitin 2012. Po kështu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina duket se kanë arritur një marrëveshjë ku synohet bashkëpunimi mes dy superfuqive për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit për programin e tij bërthamor. "Autoritetet kineze janë shprehur të gatshme të punojnë me ne lidhur me sanksionet e reja ndaj Iranit për programin e tij bërthamor dhe presim zgjidhje brenda pranverës", deklaroi nga Uashingtoni zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Xhef Bader. Kështu, siguria bërthamore mbetet sfida e radhës e presidentit Obama i cili me samitin e organizuar në Uashington, ku marrin pjesë 47 liderë të vendeve të ndryshme duket se po kërkon garanci që armët bërthamore mos bien në duar të "gabuara".