E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma për sesionin e gjuhës kineze tek UT-ja

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast dje në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, mori pjesë edhe ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, sh.t.z. Wang Junling, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof. dr. Klodeta Dibra, etj.Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule përshëndeti këtë nismë, duke e quajtur edhe një nevojë në kushtet e reja të politikës dhe ekonomisë globale. “Kina sot është një superfuqi botërore ekonomike dhe politike dhe si ekonomist do të thosha, që krahas aspektit kulturor që ka gjuha kineze, mësimi i saj nga studentët shqiptarë do t’u krijojë atyre mundësi më të shumta në tregun botëror të punës. Më vjen mirë që kjo gjuhë është përzgjedhur nga një sërë studentësh dhe jam i sigurt që do të zgjidhet si gjuhë nga akoma më shumë persona gjatë viteve në vijim”, u shpreh Kule.Në fjalën e tij, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, sh. t. z. Wang Junling, deklaroi se hapja e seksionit të gjuhës kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës është një hap që duhej ndërmarrë prej kohësh. “Gjuha kineze është gjuha më e lashtë që vijon të flitet edhe sot, ndërkohë që në realitetin e sotshëm botëror, pas hapjes së Kinës në ekonomi, gjuha kineze po mësohet gjithnjë e më shumë nga studentë të huaj. Gjatë takimit që kishte presidenti kinez, me presidentin amerikan, Barak Obama, ky i fundit deklaroi se do të dërgonte 100 mijë studentë për të mësuar gjuhën kineze në Kinë. Kjo tregon nevojën për bashkëpunim në këtë fushë me të gjitha vendet e Botës”, tha sh. t. z. Wang Junling. Seksioni i Gjuhës Kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është hapur me ndërmjetësimin e rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë. Sot, në këtë seksion, ku jep mësim pedagogia e ardhur nga Kina, znj. Wang, studiojnë 16 studentë. Për të mbështetur këtë përpjekje, gjatë ditës së djeshme, ambasada kineze në Tiranë i dhuroi seksionit të gjuhës kineze, një set prej qindra librash, materialesh didaktike, dy kompjutera, skaner, dy wi-fi, televizorë, e materjale të tjera elektronike.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›