Ndihmë ekonomike për viktimat e trafikimit
Asistenca
Drejtori i SHSSH konfirmon ndihmën financiare edhe për ofruesit e shërbimeve sociale
Viktimat e trafikimit do të përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike, ndërsa institucionet që ofrojnë përkujdes për to do të mbështeten financiarisht nga shteti.
“Ofruesit e shërbimeve të përkujdesit shoqëror (Institucionet e Përkujdesit Shoqëror – IPSH) për viktimat e trafikimit (VoT) ose personave në rrezik trafikimi të ngritura nga OJF-të dhe financuar nga donatorë të ndryshëm, së shpejti do të mbështeten nga shteti si në planin financiar ashtu dhe atë administrativ”, Mihal Naço, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror. Ai ka bërë të ditur se SHSSH ka propozuar ngritjen e njësive mbikëqyrëse të administrimit të shërbimeve për këtë kategori në nevojë, të cilat do të kryejnë aktivitetin e tyre pranë katër IPSH-ve në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër.
Sipas propozimeve të bëra nga SHSSH për këto probleme, të cilat janë marrë parasysh gjatë procesit të hartimit të projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 ‘Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore’, viktimat e trafikimit do të jenë përfituese të ndihmës ekonomike, pasi ato të dalin nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social”.
Kostoja financiare për përfshirjen në programin e ndihmës ekonomike për rreth 105 persona viktima të trafikut është rreth 3.3 milionë lekë. Ndërkaq, për të krijuar një mbështetje administrative shtetërore sa më të konsoliduar, sipas propozimeve, është parashikuar krijimi i njësisë për mbikëqyrjen e administrimit të qendrave të trajtimit të VoT. Kjo njësi do të përbëhet nga 12 persona të ndarë në katër grupe për katër rrethet ku IPSH-të ofrojnë shërbime të përkujdesit shoqëror. Shpenzimet për pagat dhe kontributet për sigurimet shoqërore të punonjësve do të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, të akorduara për SHSSH.
#