E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen me thika tre nxënës të shkollës 9-vjeçare

Vlorë
Policia ushtroi kontroll të befasishëm pas sinjalizimeve

Shkonin në shkollë me thika, paralajmërohen se do të përjashtohen. Tre nxënësve të një prej shkollave nëntëvjeçare të qytetit të Vlorës u janë gjetur thika në çantat e tyre të shkollës. Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “Teli Ndini” në afërsi të spitalit, në lagjen e quajtur nga vlonjatët si lagjja “Karabash”. Pas disa sinjalizimeve që kishte policia e qytetit bregdetar, uniformat blu ushtruan kontroll te disa nxënës të dyshuar dhe te tre prej tyre gjetën armë të ftohta. Menjëherë pas kësaj është lajmëruar drejtoria e shkollës, e cila ka mbledhur me urgjencë stafin pedagogjik. Dje janë thirrur në takim nxënësit së bashku me prindërit e tyre, të cilët më parë kishin dhënë shpjegime përpara policisë. Mësohet se drejtuesit e shkollës kanë dhënë masën e paralajmërimit për përjashtim nga shkolla për tre nxënësit e padisiplinuar. Ndërkohë burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë të ditur se operacione të tilla të rrufeshme do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. Kujtojmë se vitin e kaluar në Vlorë pesë minorë humbën jetën si pasojë e përdorimit të thikave, por vetëm disa prej autorëve janë mundur të identifikohen dhe ndalohen nga policia. Ndërkohë fakti se bëhet fjalë për minorenë, bën që policia të jetë e rezervuar në dhënien e detajeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›