Ndihmë në kohë për bankat e Evropës
Banka Qendrore e Evropiane, nën udhëheqjen energjike të Mario Draghit, ndërmori këtë javë hapin dëshpërimisht të nevojshëm të injektimit të qindra miliarda eurove në sistemin e paqëndrueshëm bankar të kontinentit. Kjo është një zgjidhje afat-shkurtër, madje jo më e mira e mundshme duke pasur parasysh burimet e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), të cilët duhet të përdoren për të blerë obligacione nga ekonomitë në gjendje të vështirë, si Italia dhe Spanja, në mënyrë që të mbahen kostot e tyre të interesit nën administrim. Por, ndërkohë që besimi mbi sistemin financiar të Evropës po avullon dhe liderët e Bashkimit Evropian kanë ngecur në diskutime të parëndësishme se si të sigurohen virtyte fiskale afat-gjata, BQE-ja ka arritur që të krijojë siguri, tani për tani. Ajo u ofroi të gjitha bankave që operojnë në Eurozonë kredi tre-vjeçare me normë interesi tepër të ulët (1 për qind). Më shumë se 500 banka përfituan nga oferta duke huazuar një shumë totale prej 640 miliardë dollarësh, tepër më shumë nga ç’pritej. Edhe pse një pjesë e majme e parave të huazuara do të përdoren për të zëvendësuar kreditë ekzistuese, 353 miliardë dollarë do mund të përdoren nga bankat në tri mënyra: 1. Për të forcuar financat e tyre; 2. Për të lehtësuar kredidhënien ndaj bizneseve dhe konsumatorëve; 3. Për të blerë obligacione nga qeveritë e Eurozonës. Të tria mënyrat do të ndihmojnë në zvogëlimin e presionit të rrezikshëm që është mbivendosur së fundmi mbi sistemin financiar evropian. Bankat evropiane e kanë pasur gjithnjë e më të vështirë të financojnë operacionet e tyre nga tregjet private. Italia dhe Spanja nuk mund të vazhdojnë më të paguajnë norma të paqëndrueshme interesi për obligacionet e tyre. Dhe një krizë kredish për bizneset, si pasojë e programeve të keqdrejtuara qeveritare të kursimit, do ta kishte shtyrë Evropën drejt një rënieje ekonomike më të madhe nga ajo me të cilën po përballet aktualisht. Megjithëse në kohë dhe i mirëpritur, programi i kreditimit i Bankës Qendrore Evropiane i drejtohet vetëm simptomave të shterjes së likuiditetit dhe jo çështjes themelore të shmangies së konkurrencës mes eksportuesve të frytshëm si Gjermania dhe vendeve nën performancën e nevojshme siç është Greqia dhe Italia. Zgjidhja për këtë çështje qendrore nuk është doza e ashpër e kursimit për të gjithë. Ekonomitë e forta si Gjermania kanë nevojë për stimul në mënyrë që të mund të blejnë më shumë, jo më pak, nga partnerët e tyre brenda Eurogrupit. Teksa ekonomitë e sëmura si Greqia, Italia dhe Spanja, nevojitet të rrisin konkurrencën dhe rritjen ekonomike me anë të reformës në tregun e punës, konkurrencës së lirë në treg, sistemit të drejtë të taksave dhe qeverive më efikase. Këto ndryshime do t’i rigjallërojnë ata më shpejt se “vrasësit” e rritjes ekonomike siç është rritja e taksave dhe shkurtimi i shpenzimeve, masa këto të mbështetura nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Falë Zotit Draghi, sistemi financiar i Evropës duket më i sigurt në javët apo muajt e ardhshëm. Në mënyrë që ky sistem të bëhet më i sigurt gjatë vitit 2012, kërkohet mbështetje më konstruktive nga ana e Zonjës Merkel.
...