E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urime për ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit

25-12-2011 / Gazeta 55

Festa e Krishtlindjes Besimtarët katolikë dhe ortodoksë në Shqipëri festojnë sot ditën e shënuar të lindjes së Jezus Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. Besimtarë katolikë kremtuan gjatë mesnatës duke u gdhirë 25 dhjetori, lindjen e Jezus Krishtit në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të ditës së sotme, besimtarët ortodoksë pritet të ndjekin meshën dhe do të ndezin qirinj në Kishën Autoqefale. Mesazh urimi për festën e Krishtlindjes është përcjellë nga Imzot Rrok Mirdita, i cili kërkoi nga njerëzit të kenë besim në Zot në një kohë që shoqëria shfaqet e kërcënuar nga kriza ekonomike. “Sot shoqëria shfaqet e kërcënuar në një farë mënyre nga varfëria, nga mungesa e një projekti të besueshëm, të pranuar njëzëri për një të ardhme të qëndrueshme nga pasiguria e një mirëqenie të arritshme për të gjithë. Të kremtosh Krishtlindjet do të thotë ta përjetosh urën tënde historike si urën e takimit me Krishtin një takim që i sjell jetës dritë, gëzim dhe shpresë. Qofshin këto Krishtlindje një mundësi e gëzueshme për të gjithë njerëzit për të takuar Zotin e tyre të vërtetë, e për të përjetuar gëzimin e pafund që sjell ky takim! Uroj nga Zemra Krishtlindje të gëzuara e një vit të Ri plot me bekime!”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri të Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve. Prandaj besimtarët këndojnë në Kishë vargjet “Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Mangët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i përjetshmi Zot”. Përgjatë ditës së sotme, pritet gjithashtu që të ketë të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit shqiptar të zhvillojnë vizita në katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse në Tiranë, për të përcjellë urimet e tyre për besimtarët katolikë dhe ata ortodoksë. Kryepeshkopi Janullatos ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri! Kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi që ai dha për besimtarët, ndërsa uroi që Viti Ri 2012 të jetë një vit i mbushur me durim e paqe. “Perëndia u shfaq në mish. Kapërcimi i të pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi qendror i Krishtlindjeve dhe thirremi ta gëzojmë brenda realitetit të ashpër këtë përvjetor. Ne që vështrojmë me besim, birin dhe fjalën e Perëndisë të bërë njeri, e kemi se ai qëndron me ne dhe se shumë gjëra të pamundura nga ana njerëzore me fuqinë e Perëndisë bëhen të mundura. Vëllezër dhe motra të dashur, uroj që kjo binde të fuqizohet brenda nesh gjatë kësaj periudhe festive, të na ngushëllojë e të na mbështesë në vitin që po vjen! Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur plot me durim dhe paqe!”, tha kryepeshkopi në mesazhin e tij të urimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›