E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ndihmë" për bankat, jo për të pastrehët

Skema e prezantuar nga qeveria për të ndihmuar të pastrehët, është e pakuptimtë nga pikëpamja bankare dhe një shpenzim financiar i stërmadh për buxhetin e shtetit, ndërsa pritet të ndihmojë pak ose aspak familjet e varfra. Ky është komenti i disa ekspertëve të bankave të kontaktuar nga "Shqip" në lidhje me skemën e prezantuar dje nga qeveria, që synon të ndihmojë 800 familje të varfra të blejnë një shtëpi.

Qeveria ka shpallur se synon të pajisë 6 mijë familje të varfra me shtëpi, përmes një skeme ligjore që u vendos në vitin 2000 dhe që parashtron mundësinë që të pastrehët të shlyejnë koston fizike të shtëpisë që marrin, ndërsa buxheti i shtetit të mbulojë interesat e kredive. Faza e parë e projektit synon të trajtojë 800 familje, emrat e të cilave përcaktohen nga pushteti vendor. Familjet do të marrin një shtëpi duke paguar minimalisht 20 për qind të vlerës që në fillim, ndërsa 80 për qind të vlerës plus një interes prej 3 përqindëshit, do ta shlyejnë në 30 vitet e ardhshme. Në total, kreditë do të kenë kosto Bono Thesari 12 mujore plus 2.2 për qind. Interesi që do të paguajë qytetari do të jetë fiks 3 për qind, ndërsa luhatjet e bonove të thesarit do të mbulohen nga buxheti

Interesat më shumë se shtëpitë

Skema i ka habitur pak ekspertët. Në bazë të llogarive mbi të dhënat e publikuara nga Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, për 800 shtëpitë që do të blihen, nevojiten 22.7 milionë euro. Por duke marrë parasysh se interesi aktual i bonove të thesarit vjetore është 9 për qind, ndërsa interesi i kredive do të jetë 11.2 për qind, qeverisë do t‘i duhet të shpenzojë rreth 60 milionë euro interesa në 30 vitet e ardhshme. "Kredi do të thotë që të marrësh para borxh kur nuk i ke të disponueshme këto para", - thonë ekspertët. "Në këtë rast, nuk është kështu, sepse qeveria ka para e për pasojë, nuk ka nevojë të marrë kredi dhe të paguajë interesa kaq të larta", - thanë ata. Ekspertët e disa bankave të kontaktuar nga "Shqip" ishin veçanërisht të zemëruar se nga skema do të përfitojë vetëm një bankë, megjithëse duke parë kushtet, ka shumë pak shpresa se vetë skema do të funksionojë. "Qeveria mund të akordojë një fond për strehimin, të zgjedhë një apo disa banka agjentë për menaxhimin e kredive dhe ta zgjidhë problemin", - thonë ata në kushtet e konfidencialitetit. "Nuk ka kuptim që qeveria të paguajë një mal me interesa".

Kredi e lirë për të pasurit

Koncepti i subvencionimit të interesave për të pastrehët bie ndesh edhe me faktin se kreditë për nga lloji janë për njerëzit e pasur, ndërsa të pastrehët, presupozohen se janë të varfër. Kështu 13 familje në Tiranë, të cilave u është caktuar të marrin kredi për të blerë një garsonierë, do t‘u duhet të paguajnë një këst mujor prej 16 mijë lekësh në muaj për 30 vitet e ardhshme. Sipas rregullave të përgjithshme të kreditimit, jo më shumë se një e treta e të ardhurave të familjes duhet të shkojnë për të paguar kredinë. Për pasojë, një kredi e tillë është e disponueshme vetëm për familjet me të ardhura prej 48 mijë lekësh në muaj dhe familje të tilla vështirë se mund të gjenden mes të pastrehëve.

Për familjet që do të marrin një apartament 2+1 sipas skemës së propozuar, kësti mujor i bie 24 mijë lekë në muaj, ndërsa të ardhurat familjare të tyre duhet të jenë së paku dy deri në tre herë më shumë. Por ky nivel të ardhurash në rastin e Shqipërisë, nuk përfaqëson kurrsesi familjet e varfra. Për pasojë, skema ka pak shanse reale të ndihmojë të pastrehët e varfër. Ajo ka shumë gjasa se do të ndihmojë të pastrehët e pasur.

Eksperienca e shkuar

Qeveria shqiptare është përpjekur në të gjitha kohërat që pas rënies së komunizmit të gjejë një skemë të vlefshme për të ndihmuar të pastrehët, por deri më sot, një skemë e tillë nuk është gjetur. Për më tepër, në shumë raste janë vërejtur abuzime me skemën e ndihmave për të pastrehët. Kryegjykatës dhe zyrtarë të lartë, deputetë dhe ministra, pagat e të cilëve mjaftojnë për të marrë kredi tregtare, kanë përfituar kredi me kushte lehtësuese, ndërsa të pastrehët e vërtetë zakonisht nuk kanë marrë asgjë.

Shembujt (shifrat në milionë lekë)

Kredi për një shtëpi garsonierë në Tiranë

Kostoja e shtëpisë 3.4

Interesa të paguara nga blerësi 3% 1.45

Interesa të paguara nga qeveria 8.2% 4.66

Totali: Principal + interes 10.26

Kësti mujor 0.16

Kredi për shtëpi 1+1 në Tiranë

Kostoja e shtëpisë 4.1

Interesa të paguara nga blerësi 3% 1.73

Interesa të paguara nga qeveria 8.2% 5.5

Totali: Principal + interes 12.2

Kësti mujor 0.194

Kredi për shtëpi 2+1 në Tiranë

Kostoja e shtëpisë 5.1

Interesa të paguara nga blerësi 3% 2.1

Interesa të paguara nga qeveria 8.2% 6.88

Totali: Principal + interes 15.1

Kësti mujor 0.24


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›