E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti i tregon Ballës diplomën e Harvward-it

Partia Socialiste ka vijuar dje akuzat ndaj ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, duke folur për korrupsion dhe abuzime me detyrën në rastin e situatës së përmbytjeve. Por ndërkaq, PS ka tentuar të akuzojë dhe për paaftësi profesionale këtë ministër, duke e cilësuar një mësues anglishteje. Nga ministria që drejton Prifti, deputeti i PS-së Taulant Balla që i bëri këto akuza, ka marrë menjëherë përgjigje për këto akuza. Ai është njohur me diplomat e studimeve të Priftit në një nga universitetet më prestigjioze në botë, Harvward. Sipas Ballës, “KESH kishte informacion të plotë që në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit dhe dhjetëditëshin e parë të janarit, do të kishte reshje, do të kishte temperatura pranverore që shkrijnë dëborën e maleve”. Por, sipas tij, këtu kanë hyrë në lojë interesat e familjes kryeministrore. Më tej, duke e akuzuar për paaftësi dhe për papërgjegjshmëri, Balla u shpreh: “ǒmund të presim tjetër nga një drejtor KESH-i, inxhinier tekstilesh, një ministër Energjitike - mësues anglishteje apo një Kryeministër - doktor i sëmurë”. Por në deklarimin publik disa orë më vonë, zëdhënësja e Priftit, Matilda Merxhani, i kujtoi Ballës se i kishte informacionet të pasakta. “Menaxhimi i situatës aktuale në prefekturën e Shkodrës u monitorua dhe u falënderua nga e gjithë bota, duke u bazuar në analizë të detajuar për angazhimet e marra. Kjo vlen shumë më tepër se mesazhi i politizuar jo oponent, por keqdashës i z. Balla”, - tha ajo. Më tej, ministria i ofron dijeni PS-së për CV-në e ministrit, duke e cilësuar këtë menaxhim të situatës si meritë të eksperiencës shumëvjeçare të tij në këtë fushë.
“Për sa i përket edukimit profesional, e sigurojmë z. Balla se edhe një mësues anglishteje mund të jetë një lider i suksesshëm”. Ndërkohë, Merxhani shtoi: “Nëse nuk e njeh Universitetin e Harward-it, SHBA, ku z. Prifti është diplomuar për programin e masterit 1-vjeçar me kohë të plotë për Administrim Publik, ku kanë përfunduar studimet përfaqësues të vlerave shumë të mëdha ndërkombëtare si: z. Obama, President i SHBA-së, z. Bush etj. dhe Universitetin e New Mexico-s në SHBA, ku z. Prifti është diplomuar për programin e masterit 3-vjeçar me kohë të plotë në Administrim Biznesi, atëherë me keqardhje i drejtohemi publikut të kujdeset të shmangë dëgjimin ndaj shpifjeve të z. Balla”. “Për fat të mirë, z. Dritan Prifti nuk ka në CV-në e tij ndalime nga policia për dyshime në pjesëmarrje për trafikime droge. Lëri shpifjet z. Balla dhe merru me borxhlinjtë që ke nëpër kazinotë e Tiranës”, - theksoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›