E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli, propozim qeverisë të prishen ndërtimet pa leje rreth digave

Banesat dhe objektet që rrezikohen nga përmbytje të ngjashme si ato që ndodhën në fillim të janarit mund edhe të prishen, nëse rezultojnë se janë ndërtuar në një zonë që cenojnë sigurinë dhe për më tepër, nuk është dhënë leje për ndërtimin e tyre. Një propozim i tillë vjen nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Genc Ruli, i cili në një deklarim për median dje ka bërë me dije se së afërmi do t’i bëjë qeverisë një propozim të tillë. Ministri ka pranuar se nga verifikimet e bëra në terren rezulton se ka shumë ndërtime afër lumenjve, që në një situatë të ngjashme rrezikojnë jetën e banorëve. Pikërisht për këto ndërtime, ai ka theksuar dje se do t’i propozohet qeverisë që të zhvendosen familjet që banojnë aty. Sipas ministrit Ruli, pritet që të kalojë faza e emergjencës dhe situata të qetësohet, e më pas do t’i propozohet qeverisë zhvendosja e familjeve që rrezikohen. Tashmë Shtabi i Emergjencës ka përcaktuar dhe kriteret për vlerësimin e dëmeve. Bashkë me vlerësimin e dëmit për objektet dhe orenditë shtëpiake, do të bëhet një vlerësim edhe mbi tokën bujqësore dhe bagëtitë e humbura nga përmbytjet. Ministri ka theksuar se nga verifikimet e ekspertëve rezulton se janë përmbytur 10 mijë hektarë tokë, prej së cilës 7 mijë hektarë është tokë bujqësore, ku vetëm 2 mijë hektarë rezulton se ka qenë e mbjell në kohën kur ka ndodhur përmbytja. Çështja e ndërtimeve pa kriter në zonat afër lumenjve, që cenojnë sigurinë, është ngritur edhe nga komuniteti i biznesit prodhues. Dy ditë më parë, ata kërkuan nga qeveria që të merren masa në këtë drejtim, si dhe për të zhdukur krejt pasojat e përmbytjeve.
Konfindustria ka deklaruar se ka qenë keqadministrimi dhe moskontrolli skajor i territorit deri në formën e rënies së plotë të autoritetit shtetëror, shfaqur me lejimin e ndërtimeve të paligjshme, tërësisht jashtë standardeve të qindra e qindra shtëpive në zona qartësisht dhe historikisht të palejueshme për ndërtim, që sollën këtë situatë. Biznesi thekson se duhet të pranohet dhe të sqarohet, se është e papranueshme që taksat e qytetarëve shqiptare të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët e ndërtimeve të paligjshme në zona të rrezikuara të banimit, bizneseve dhe hoteleve turistike etj., përfshi edhe ndërtimet e kryera me lejet e marra në mënyrë korruptive dhe në kundërshtim të plotë me standardet e lejueshme në fuqi. Po kështu, biznesi kërkon që në asnjë mënyrë nuk duhet të ligjërohen nga ALUIZNI ndërtimet në zona të rrezikuara në të gjithë territorin e vendit, përfshi edhe zonat detare dhe lumore të përmbytjeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›