E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidrocentralet prej 3 ditësh nuk shkarkojnë më ujë

Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë rënë në qetësi. Ata, veç mbledhin ngadalë ujin dhe prej tre ditësh nuk shkarkohet asnjë m3 ujë/sek prej tyre.
Portat e tre hidrocentraleve kryesore në vend, Fierzë, Koman janë mbyllur prej tre ditësh, ndërsa ato të Vaut të Dejës janë mbyllur prej dy ditësh. KESH ka njoftuar dje për situatën në hidrocentrale, e cila është e qetë, pasi vetëm po grumbullohen në liqene prurjet që tashmë kanë ulur kapacitetin dhe nuk po shkarkohet më ujë prej tyre, duke sjellë kështu një normalitet në tri digat më të mëdha të vendit tonë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, niveli i Fierzës dje në mesditë ishte 289.91 metra, nga 296 që është kapaciteti maksimal. Prurjet në këtë liqen janë 300 metra kub për sekondë, ndërkohë që nuk ka shkarkime. Ujëmbledhësi i Komanit i është rikthyer normalitetit, duke shënuar nivelin 170.69 metra, nga 175 metra që është pika maksimale. Prurjet në këtë basen ujor ishin dje 170 m kub në sekondë. Për sa i përket liqenit të Vaut të Dejës, shkarkimet janë mbyllur dje, duke shënuar nivelin 74.64 metra, nga 76 metra që është kapaciteti maksimal. Prurjet në këtë liqen ishin dje në mesditë 70 metër kub në sekondë. Pas dy javë shkarkimesh, hidrocentralet po punojnë aktualisht me kapacitet të plotë dhe pa shkarkime nga liqenet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›