E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihmesa amerikane në prokurori, Topi dekoron juristen Sinthia Eldrixh

Tiranë- Këshilltarja Ligjore të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë,
juristja e misionin OPDAT, Sinthia Eldrixh është nderuar sot me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.

Në një ceremoni të zhvilluar sot paradite në ambientët e presidencës ku merrnin pjesë Ambasadori Amerikan, Aleksander Arvizu, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Kreu i ILDKP-së, Adriatik Lalla, Kryeprokurorja Ina Rama, prokurorë dhe juristë zonjës Eldrixh iu dorëzua medalja me motivacionin  Për ndihmën e çmuar dhënë Institucionit të Prokurorisë Shqiptare për ruajtjen e pavarësisë e rritjen profesionale të trupës së prokurorëve si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast presidenti Topi tha se vlerëson të gjithë ndihmën e paçmuar që ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë gjithë viteve të tranzicionit demokratik në Shqipëri teksa bëri thirrje luftimi i korrupsionit në drejtësinë shqiptare duhet të bëhet në dhe nga çdo hallkë e tij.

‘Ndihmë që ka qenë në sensin e formimit të sistemit të drejtësisë, në asistencë profesionale, në asistencë me njerëz mjaft të kualifikuar që vijnë nga një sistem drejtësie i konsoliduar në standardet më të larta, sikurse është sistemi i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Neve u jemi shumë mirënjohës…Unë dëshiroj të vlerësoj këtu para jush sot të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, me integritet, të paanshëm, që i bëjnë nder sistemit të drejtësisë. Por, është koha më shumë se kurrë për të bërë diferencën me njerëzit e pakualifikuar, me njerëzit e anshëm, dhe me njerëzit të cilët tentojnë të futen në afera korruptive dhe në sistemin e drejtësisë. Kjo është detyrë, natyrisht është detyrë e vështirë. Por është e mundur sepse kjo betejë duhet të zhvillohet nga të gjithë, jo thjeshtë nga krerët e institucioneve, por edhe nga mjediset e profesionistëve, qoftë në prokurori, qoftë në sistemin e drejtësisë. Në këtë kontekst, dëshiroj të vlerësoj të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të Sintia Eldrixh, e cila është një konsulente ligjore e OPDAT-it pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë. Këtë e kam ndjerë tek drejtuesit, e kam ndjerë tek prokurorët, të cilët flasin me shumë respekt, me shumë dashuri, me shumë mirënjohje. Dhe në atributin e Presidentit, por edhe në dëshirën time, dëshiroj ta vlerësoj punën tuaj me Medaljen e Mirënjohjes. Dhe tek simbolika e kësaj medaljeje dhe motivacioni, padyshim është e gjithë mbështetja që vjen nga kolegët në Prokurori për ju- tha Topi.

Në fjalen e saj zonja Sinthia Eldrixh tha se ndihet e nderuar për Medaljen e Mirënjohjes. “Dëshiroj të falenderoj Shoqatën e Prokurorëve dhe të gjithë prokurorët që më kanë rekomanduar për këtë medalje! Në të vërtetë, e shoh këtë si një vlerësim për OPDAT-in dhe jo për mua personalisht. OPDAT-i ka pasur prokurorë të shkëlqyer që kanë punuar përpara meje, veçanërisht Dejvid Ljuis dhe Melisa Shrajbman. Çfarëdo suksesi që unë kam arritur, bazohet në themelin e hedhur prej tyre.

Teksa në fjalën e tij Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu e cilësoi dekorimin e zonjës Eldrixh si një nderim  i dhënë për Departamentin e Drejtësisë dhe Ambasadën që juristja amerikane përfaqëson.

Edhe ndonëse i është dhënë një personi që punon në Departamentin e Drejtësisë, në fakt i është dhënë të gjithëve, Agjencisë për të cilën ajo punon dhe Departamentit për të cilin ajo punon, Ambasadës që ajo përfaqëson. Prandaj, ju falënderoj edhe njëherë për këtë! Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj të gjithë prokurorët që gjenden këtu në këtë sallë, Prokuroren e Përgjithshme, si dhe të gjithë ju, dua tju falënderoj që keni rekomanduar por dhe për mbështetjen që i keni dhënë Sindit dhe punës së saj, që ka kryer gjatë këtyre katër viteve. Jam krenar për punën që Sindi bën, por gjithashtu jam krenar për punën që gjithsecili nga Ambasada amerikane bën. Shoh këtu në sallë shumë persona nga kjo zyrë. Kështu që dëshiroj tju falënderoj ju, në sy të Presidentit, tju falënderoj dhe njëherë të gjithëve për punën që ju bëni!- tha zoti Arvizu.

Dorina Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›